Lojtari i Teutës, Ergys Peposhi, ka folur pas ndeshjes miqësore më Vllazninë. Sipas tij, ekipi duhet të shënonte më shumë dhe është i kënaqur më paraqitjen që bëri skuadra. Ai pranoi se gjërat do të jenë më mirë në këtë sezon të ri dhe skuadra do të ndryshojë shumë në krahasim me sezonin e kaluar.
Si e patë Teutën në provën ndaj Vllaznisë?
Ekipi është rritur. Ekipi po përgjigjet shumë mirë, në këtë ndeshje zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, ku mund të shënonim më shumë, por ka ende vend për përmirësim. Trajneri po mundohet të na përshtatë me stilin e lojës sulmuese dhe ne po punojmë për këtë.
Ju kemi parë në të majtë dhe në të djathtë, ku ju pëlqen më shumë të luani?
Roli im natyral është mesfushor, por mund të luaj në çdo pozicion ku do të më vendosë trajneri. Preferenca ime është në të djathtë. Në fund të sezonit do të shohim gjithçka.
Sa dëshirë kishit për t’u rikthyer te goli?
Ekzistonte një dëshirë e madhe për të shënuar, të gjithë po bëjmë një punë të mirë, pasi unë ka qenë këtu dhe merrem vesh me shokët. Goli i djeshëm më motivon akoma më shumë për ecur përpara dhe të ndihmojë ekipin.
Çfarë ka ndryshuar tek Teuta e sezonit të ri?
Kanë ndryshuar shumë gjëra. Trajneri i ri, ide të reja. Jemi të bashkuar të gjithë në fitore edhe në humbje. Jemi si një familje, si një trup i vetëm dhe veprojmë po si një trup i vetëm, jo të veçuar. Këtë sezon besoj se do të bëjmë mirë dhe jemi në rrugën e duhur, të cilën do ta vazhdojmë, duke mos u dorëzuar. Të gjithë së bashku jemi shumë të fortë.
Në aspektin personal çfarë synimesh keni me Teutën?
Synimi im është që të bej paraqitje më të mira se sezoni që lamë pas dhe së bashku me skuadrën të arrijmë ato objektiva që ka vendosur klubi.