Një video e re e publikuar e kreut të grupit mercenar rus Wagner, pretendohet se shfaq Yevgeny Prigozhin në Afrikë, vetëm pak ditë para se siç pretendon Moska, të humbte jetën nga rrëzimi i aeroplanit afër Moskës.
“Për ata që diskutojnë nëse jam gjallë apo jo, si jam, tani është fundjavë, gjysma e dytë e gushtit, jam në Afrikë”, thotë Prigozhin në videon e shkurtër të postuar në një kanal në Telegram që ka lidhje të ngushta me Wagnerin.
“Për ata që diskutojnë se si të më heqin nga faqja e dheut apo për jetën time private, sa fitoj apo çfarëdo tjetër, gjithçka është në rregull”, shtoi Prigozhin.
Ai shihet në një makinë në lëvizje i veshur me rroba të kamufluara ushtarake, kapele dhe një orë në dorën e djathtë që i ngjajnë përshkrimit të tij në videon e publikuar më 21 gusht që gjithashtu u filmua në Afrikë.
Duke marrë parasysh se flet për fundjavën, videoja mund të jetë filmuar nga 19 deri më 20 gusht, që janë vetëm tri apo katër ditë para se të humbte jetën nga rrëzimi i aeroplanit në veri të Moskës.
Presidenti rus Vladimir Putin, kundër të cilit Prigozhin u rebelua dy muaj më parë, në reagimin e tij për aksidentin me aeroplan ka thënë se kreu i Wagnerit një ditë para aksidentit ishte kthyer nga Afrika.