Emrin e “Azem Hajdarit” në Durrës e mban një shesh qendror por edhe një rrugë në qytetin bregdetar. Rruga që mban emrin e dëshmorit të demokracisë, gjendet në zonën e ish-Kënetës, e mbuluar nga plehrat por edhe nga era e rëndë e kanalit të hapur.

Më shumë se dy dekada më parë në ish-zonën e Durrësit të Ri erdhën banorët nga të katër anët e vendit, por edhe pas një kohe të gjatë infrastruktura lë mjaft për të dëshiruar.

Një grup banorësh të rrugës “Azem Ajdari” në ish-Kënetë shqetësimin e ngritën pranë redaksisë së “DurrësLajm”. Ata thanë se kanali i ujërave të zeza të qytetit që përshkon mes përmes këtë rrugë është kthyer në një burim epidemish për sëmundje të ndryshme kronike për të gjithë komunitetin.

Kanali i papastruar i cili mbledh ujërat e zeza të qytetit, është kthyer edhe në mbledhësin e plehrave të zonës pasi pastrimi nuk kryhet në këtë lagje periferike. Prej 20 vitesh as pushteti qendror, as pushteti lokal, nuk kanë kryer asnjë investim në këtë zonë.

Banorët thonë se janë vetëm emra në listat e zgjedhësve për votat që iu kërkojnë çdo herë kur ka zgjedhje lokale dhe qendrore.