Tiranë, 15 qershor 2014 – Për trafikimin e sasive të ndryshme të kokainës nga Amerika Latine në Kosovë dhe më pas në Shqipëri, përdorej një komunikim i koduar, ku flitej rreth një tregtie për fustanët e nuseve. Bisedat e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë treguar se kokaina cilësohej për Gëzim Çelaj dhe mikeshën e tij kimisten Valentina Tufina si fustan nusërie, shkruan sot “Shqiptarja.com”.

Për të provuar këtë “fustan” gjithmonë zgjidhej shtetësja me shtetësi shqiptaro-amerikane, e cila pasi jepte “Ok” kryhej dhe pagesa financiare për blerjen e “fustanit” (kokainës). Gjithçka ka qënë mjaft e organizuar dhe e planifikuar me detaje, duke mos lënë dyshimin më të vogël.

Ndërkohë, të ndaluarit e këtij rrjeti ndërkombëtar kokaine, janë lënë në burg, një ditë më parë nga Gjykata e krimeve të Rënda.

Gjatë seancës gjyqësore, vëllai i super të kërkuarit Gëzim Çelaj, Kujtimi ka pohuar se lënda narkotike dhe armët që janë sekuestruar në vilën luksoze në fshatin Fushë-Kuqe të Laçit, janë të babait të tij pensionist. Kujtimi ka deklaruar në  gjykatë se nuk dinte asnjë gjë për veprimtarinë e vëllait të tij, dhe nisur nga kjo situatë kërkoi që gjykata ta lironte.

Nga ana tjetër korrieri i drogës, Reald Hysolli, që u kap me 7 kile kokainë në tentativë për ta kaluar atë në Kosovë nga pika kufitare e Morinës, ka pohuar se në trafikimin e 7 kg kokainë ai ka qenë i vetëm dhe se nuk ka pasur bashkëpunëtor.
Më tej ai ka shtuar se këtë veprim të kundraligjshëm e ka kryer për shkak të vështirësisë financiare.

Gjyqtari Sandër Simoni ka vendosur të caktojë masën e “arrestit në burg” edhe për kapon e këtij grupi shtetasin Gëzim Çelaj. Masa ndaj këtij të fundit është bërë në mungesë dhe se menjëherë pas zbardhjes së vendimit të gjykatës, pritet që Çelaj të shpallet në kërkim ndërkombëtar për akuzën e “Trafikut të Narkotikëve” në bashkëpunim, Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve dhe “Grupit të strukturuar kriminal”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/