Dyqind vende të reja pune priten të hapen vetëm në këtë fabrikë, por zyrtarët e kompanisë General Dynamics i thanë Zërit të Amerikës se kjo nuk mund të ndodhë pa u miratuar financimi i mëtejshëm nga Kongresi.

Ligjvënësi demokrat Matt Cartwright thotë se këto vende pune do të ndikonin shumë në qytete si Scrantoni. “Është një ndihmë e madhe. Dua të them se Scrantoni dhe Pensilvania verilindore kanë hasur në vështirësi ekonomike”, thotë ai.Ligjvënësi Cartwright thotë se krahas rëndësisë që kanë vendet e reja të punës, është edhe më e rëndësishme që të jepet siguri se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i kthejnë shpinën Ukrainës.

“Jo vetëm që është joamerikane, por edhe kundër vlerave të Pensilvanisë. E kemi mbrojtur gjithnjë demokracinë dhe lirinë, kudo. Dhe nuk mendoj se duhet ta ndryshojmë këtë politikë tani”, tha ai.

Duke filluar nga viti 2025, ushtria amerikane thotë se duhet të prodhojë 100 mijë predha të kalibrit 155 mm në muaj, për të plotësuar rezervat me mbi 2 milionë predha që Shtetet e Bashkuara ia kanë dërguar Ukrainës dhe për të vazhduar furnizimin për Kievin me armatimin e mjaftueshëm për t’u mbrojtur.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se industria amerikane e mbrojtjes nuk do ta arrijë këtë objektiv pa marrë fonde të mëtejshme nga Kongresi./Voa/