Qemal Vrioni është një figurë interesante intelektuale e Durrësit. Në rrugëtimin e jetës së tij artistike, ai ka sjellë vlerat për këtë qytet, qoftë si mësues letërsie, ashtu dhe nëpërmjet pikturave mbresëlënëse dhe shkrimeve letrare dhe historike. Shumë kolegë të piktorit, si dhe personalitete të jetës kulturore dhe ekonomike të qytetit të Durrësit, kanë vlerësuar ndër vite nivelin e pikturave të realizuara, si dhe finesën artistike të Vrionit për të fiksuar në telajo detaje mbresëlënëse nga qyteti i Durrësit.

Rreth veprimtarisë së tij ai bën me dije se piktura është ndër pasionet e bukura të jetës dhe se deri më tani ka realizuar mbi 200 vepra. Vrioni, krahas pikturave të bukura që ka realizuar, ka botuar edhe libra si monografinë mbi jetën dhe veprimtarinë atdhetare të klerikut mysliman, Refik Ajazi.

Një ndër ekspozitat personale, të dytën që ka hapur në Durrës, piktori Qemal Vrioni e kishte titulluar “Për Durrësin tim”. Ai do të vijojë të shkruajë dhe të pikturojë edhe në të ardhmen detaje të bukura nga historia dhe peizazhet e këtij qyteti,në shërbim të të cilit ai ka vënë ndër vite talentin dhe kulturën e tij. Si gjithnjë për “Durrësin e tij”.

K.H.