Në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” është çelur ekspozita e dytë personale e piktorit Qemal Vrioni, e titulluar “Për Durrësin tim”.
Në të kanë marrë pjesë shumë kolegë të piktorit, të afërm të tij si dhe personalitete të jetës kulturore dhe ekonomike të qytetit të Durrësit, të cilët kanë vlerësuar nivelin e pikturave të ekspozuara si dhe finesën artistike të Vrionit për të fiksuar në telajo detaje mbresëlënëse nga qyteti i Durrësit.
Në këtë ekspozitë të dytë, Vrioni vjen me rreth 40 piktura në teknikën e grafikës, akuarelit dhe vajit.
Në fjalën e hapjes, shkrimtari Shpendi Topollaj ka folur për rrugëtimin artistik të Vrionit si dhe vlerat që ai i ka sjellë qytetit të Durrësit, qofte si mësues letërsie ashtu dhe nëpërmjet pikturave mbresëlënëse.
Piktori Vrioni foli për rrugëtimin artistik që ka bërë ndër vite dhe lidhjet e tia me artin e bukur të pikturës. Vrioni, krahas pikturave të ekspozuara, ka në proces disa peisazhe si dhe një libër.
K.H.