21 nëntor 2013- Në publikimin e kartës raportuese “Varfëria e fëmijëve në Shqipëri”, rezultoi se varfëria në Shqipëri në vitet 2010-2012 është rritur me 2.2% dhe ata që preken më shumë nga ky fenomen social janë fëmijët. Gjatë kësaj konference, Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha u shpreh se popullata veçanërisht e varfër, ata që kanë vështirësi në sigurimin e nevojave bazë ushqimore, u rrit nga 1.2% në 2008 në 2.2% në 2012. Në total, përqindja e popullatës e konsideruar e varfër u rrit nga 8.7% në 2008 në 12.6% në 2012.

“Kjo jetë në varfëri prodhon, sjell si pasojë, punën e të miturve nën moshën ligjore dhe fizike të mundshme, në profesione të vështira, braktisjen e shkollës që në vitet e arsimit të ulët, dhunën, abuzimin fizik dhe mendor”, tha Ministrja Gjosha. Sipas saj megjithë mbështetjen e shumëfishtë dhe garanci të gjera ligjore, sfidat janë të mëdha, të cilat janë më të të prekshme si rezultat i krizës globale dhe ngadalësimit ekonomik në Shqipëri. Do të doja të përmendja se anketa e matjes së standardeve të jetesës e kryer në vitin 2012, tregon se gjatë periudhës 4-vjeçare 2008 – 2012, rreth 28,000 persona iu shtuan numrit të të varfërve në Shqipëri.

Që kjo situatë të përballohet, nevojiten përpjekje të përbashkëta të institucioneve publike, të organizatave jo-qeveritare në mbrojtje të fëmijëve dhe nga organizmat ndërkombëtarë se mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë një prioritet i qeverisë shqiptare”, vijoi më tej Gjosha, duke theksuar se qeveria shqiptare ka si një nga prioritetet më kryesore mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. “Kemi një Plan Veprimi 2012 – 2015 për të drejtat e fëmijëve, kemi në përgatitje strategji të re për mbrojtjen dhe përfshirjen sociale, kemi një bazë ligjore të plotë që rregullon çështjet e koordinimit dhe referimit të fëmijëve në rrezik, kemi strukturën institucionale, që nga Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, mbi 155 njësi të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në nivel komune dhe bashkie dhe njësi të të drejtave të fëmijëve në çdo prefekturë dhe shumë njësi institucionale publike apo private për fëmijët”, nënvizoi ministrja Gjosha.