Shorti i hedhur në zyrat e UEFA-s prezantoi skuadrat shqiptare me rivalët e tyre për kupat kontinentale, me fat të ndryshëm dhe koefiçent vështirësie që do të diferencojë edhe fitimet e performancat e tyre.Kështu, Kukësi, kampion i Shqipërisë, do të marrë 260 mijë Euro nga froni i Superiores që i garanton një vend në Champions League dhe 320 mijë të tjera nga aksesi në turin e dytë paraeliminator. Skuadra në pronësi të Safet Gjicit do të arkëtojë më shumë se gjysmë milion euro në rastin më të keq e nëse fati dhe loja në fushë do ti buzëqeshë, do të rrumbullakosë në raundin tjetër 1 milion euro, 580 fillestare dhe 420 që i shtohen një hap larg fazës së grupeve.
Kjo shumë është dukshëm më e shëndetshme për buxhetin e Kukësit, krahasuar me 630 mijë Eurot e sezonit të kaluar. Sipas formulës së aplikuar nga UEFA që është pagëzuar Fondi i Solidaritetit, 3 ekipet e tjera shqiptare pjesëmarrës në Europa Lig, do të fitojnë fillimisht 215 mijë euro secila për pjesëmarrjen në turne. Nëse Partizani, Skënderbeu dhe Tirana do të arrijnë të avancojnë në raundin tjetër të kupës, do të shtojnë 225 mijë euro secila në arkat e klubit, në një progresion që i jep edhe 245 mijë euro të tjera nëse ndalen te “play off”. Shuma e përfituar nga UEFA rritet dukshëm nëse shqiptarët hyjnë në grupet e Europa Ligës. Këtu secili klub do të marrë 2.6 milion Euro, si dhe bonuse për fitoret dhe barazimet potenciale.