Nga Teuta Toska*
Pikëpamje të ndryshme janë shprehur në lidhje me atë që ka ndodhur në Përmet (dhe që me ç’duket do të ndodhin ende në të ardhmen), sepse në lojë janë futur fuqi “të mëdha” njerëzore, sikundër janë policia, gjykatat, diplomatët politikanët, komunikimet private e zyrtare mes të pushtetshmish etj. Por, unë dua ta shoh këtë ngjarje në këndvështrimin e një të krishteri të thjeshtë, siç jam. Duke përjashtuar nga ky gjykim i imi gjithë panoramën e asaj që ka ndodhur, pse-të, si-të, kur-et, do të doja ta gjykoja këtë që ndodhi në Përmet sipas standardeve, ligjeve dhe parimeve që një besimtar i mendon se janë të pandryshueshme, të përjetshme, sepse janë shpallur nga vetë Zoti. Kjo pandryshueshmëri e ndihmon besimtarin gjithë kohën që të përballet pa ankth dhe shqetësim me ligjet njerëzore që ndryshojnë sipas qeverive, ndikimeve ideologjike, gjeopolitike etj., por edhe sipas interesit të më të fuqishmit që është në kohë i ndryshëm. Përballja me konfliktet e shpeshta të jetës nuk është e thjeshtë gjithnjë për atë që beson, sepse ose duhet të përqafojë mënyrat njerëzore të reagimit, ose duhet të mbahet fort pas asaj që Zoti ka urdhëruar. Besimtari i fortë, aq më tepër një prift, e ka për detyrë të mbahet fort te Zoti i tij, sepse i duhet të jetë shembull për besimtarët e thjeshtë, të cilët do ta ndjekin atë në gjëra më të vogla, por edhe më të mëdha në jetë. Dhe me ç’kam parë, disa priftërinj të Përmetit ndiqen në veprimet e tyre edhe nga besimtarë të thjeshtë të qytetit, të cilët, pa dyshim, i quajnë veprimet e priftërinjve të tyre të drejta. Por, Zoti e detyron çdo besimtar ta vëzhgojë e ta vlerësojë sjelljen e çdokujt, e çdo fuqie fetare, botërore (shekullare, njerëzore), ose tej kësaj, sipas Fjalës që të krishterët besojnë se e kanë nga Perëndia, Biblës.
Mendoj se këto kohë në shtyp ky zë, zëri më i rëndësishëm në gjykim, zëri i atyre që duhet t’i drejtojë priftërinjtë ka munguar. Dhe unë, jo si ekspert i fesë apo i Biblës, por si një lexues i rregullt i këtij libri, më duhet të ngre disa pyetje, ndoshta teologjike, për të cilat ose duhet të marr përgjigje nga ata që i drejtojnë reagimet e kishtarëve të Përmetit, ose, nëse nuk ka përgjigje, kjo mund të bëhet një provë për t’i gjykuar.
Së pari, për raportin mes kishës dhe pronës: A duhet të luftojë me shtetin një kishë për pronën (e vet)? Në asnjë vend në Bibël (veçanërisht në Dhiatën e Re) nuk kam parë ndonjë kishë apo besimtar që të luftojë për një pronë, madje edhe kur ajo ka qenë e vetja. Kishat janë përndjekur qëkur janë themeluar para dymijë vjetësh, janë shpërndarë dhe shkulur nga vendi ku mblidheshin dhe pastaj janë mbledhur sërish në një vend tjetër, madje edhe në varre të nëndheshme (katakombet në Romë). Pse? Sepse pasuria më e madhe e kishës janë njerëzit e saj dhe jo ky truall, ajo ndërtesë. Pa dyshim, historia dhe objektet historike kishtare janë të rëndësishme për identitetin e një komuniteti dhe më gjerë, por njerëzit dhe shpirtrat e tyre janë më të rëndësishëm për kishën e Zotit, se gurët dhe hekurat. A jam e gabuar në këtë që di?
Së dyti, për raportin mes Kishës dhe Shtetit. Apostulli Pal, në letrën drejtuar romakëve e urdhëron kishën atje: “Çdo njeri le t’u nënshtrohet pushteteve të sipërme, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia. Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhrit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen, do të marrin dënim mbi veten e tyre”. (Romakëve 13:1,2) Kjo letër është shkruar në një kohë kur të krishterët përndiqeshin në të gjithë botën, kisha e parë (historikisht) në Jerusalem ishte shpërndarë me përndjekje mizore dhe gjakatare, e megjithatë Pali po i urdhëron qartë besimtarët jo vetëm ta respektojnë këtë pushtet, por t’i nënshtrohen atij. Për atë që nuk ka shumë njohuri në lidhje me kuptimin e vargjeve biblike, shpjegoj se fjala “pushtete” i referohet qeverisjes njerëzore dhe jo hierarkisë fetare, aq më tepër që në kohën e Palit nuk ekzistonte asnjë hierarki klerikale, pra asnjë lloj pushteti fetar. A jam e gabuar në atë që di dhe besoj?
Së treti, për raportin mes veprimit dhe kundërveprimit. Pashë me habi njerëz të veshur me rrobën autoritare fetare (priftërinj), që përlesheshin me njerëz të veshur me rrobën autoritare shtetërore (policë). Autoriteti, të cilit njerëzit e veshur me rrobën autoritare fetare duhet t’i binden, më së pari (në mos përjashtimisht), ka thënë: “Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e majtë, ktheja dhe tjetrën dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të marrë tunikën tënde, jepi edhe mantelin…” (Ungjilli sipas Mateut 5:39-40). Pak vjet më vonë nga koha kur Krishti i shpalli këto fjalë, Pali i urdhëroi besimtarët e Korintit që kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin: “…Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që t’ju hanë hakun?” (1 Korintasve 6:7). Jam shumë kureshtare të di se si do t’i lexojnë të dielave të Zotit këto fjalë të shenjta priftërinjtë që u përleshën për një ndërtesë dhe çfarë interpretimi do t’u japin besimtarëve për këto fjalë. A jam e gabuar në këtë që di, besoj dhe mundohem ta bëj çdo ditë?
E kam si një detyrim për t’i shkruar këto fakte (biblike) dhe standarde të përjetshme vlerësimi e gjykimi, sepse nuk bëhet fjalë në gjithë këtë konflikt për njerëz të thjeshtë, që po përballen me korrupsionin e gjykatës njerëzore, me dhunën e shtetit mbi individin e pambrojtur, me shtetin që ka këtë apo atë simpati fetare, këtë apo atë simpati gjeopolitike. Por, po bëhet fjalë për njerëz që përdorin autoritet fetar (por edhe shtetëror e gjeopolitik) në konfliktin që është bërë edhe trup më trup. Po përdoren fjalë që i takojnë çdo besimtari, si “kishë”, “prift”, “ortodoks” etj. Madje, edhe Zoti duhet të jetë përmendur në ato përleshje, mallkime, të shara e fyerje, aty ku njerëzit duhet të mësojnë t’u binden fjalëve të tjera. Detyrimi im është për të sjellë në këtë konflikt zërin e munguar që gjykon me kthjelltësi të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt të përditshëm në Shqipëri: çështje pronash. Ky zë është zëri i Atij që njerëzit fetarë të Përmetit duhet t’i binden të parit. Dhe nëse nuk i janë bindur, atëherë, njerëzit që i ndjekin dhe i mbështesin të mos gënjehen se veshja mjafton për t’i thënë dikujt prift.
* Zëvendësdekane e Fakultetit të Shkencave Humane, universiteti publik “Aleksandër Xhuvani” Elbasan





