Për herë të parë në Shqipëri është kryer në Spitalin e Shkodrës teknika që shmang bypass-in e zemrës.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu e cila shprehet se kjo procedurë moderne dhe mini-invazive u udhëhoq nga Asist. Prof. Aurel Toma, kardiolog me përvojë ndërkombëtare, i cili është gjithashtu drejtues i Repartit të Hemodinamikës në Donau Spital të Vjenës dhe pedagog në Universitetin e Vjenës.

“Falë përkushtimit dhe ekspertizës së tij, si dhe bashkëpunimit me ekipin e Shërbimit të Hemodinamikës në Shkodër, u realizua me sukses trajtimi i një okluzioni kronik të arteries koronare përmes “përqasjes retrograde”.

Kjo teknikë e avancuar eliminon nevojën për bypass-in aorto-koronar, duke ofruar një zgjidhje efikase dhe më pak invazive për pacientët. Një hap i rëndësishëm për mjekësinë shqiptare, që sjell standarde dhe praktika ndërkombëtare për të përmirësuar kujdesin shëndetësor në vend”, shkruan ajo në faqen e saj zyrtare të Facebook.