Një sajt muzeal, i ruajtur nga një ndërtues në Durrës, është në finalizim të projektit të tij. Bëhet fjalë për lulishten “1 Maji” në Durrës, ku investitori privat me përgjegjësi qytetare, ruajti e solli për publikun si asnjëherë më parë, një muze të vizitueshëm në themelet e pallatit të ndërtuar.

Personalitete të arkeologjisë, të kulturës e të artit, kanë vizituar këtë muze të periudhës Ilire, ku me fanatizëm janë ruajtur gërmimet arkeologjike nën kujdesin e veçantë të profesor Gjergj Frashërit, që ka punuar për dy vjet me ekipin e tij të arkeologëve. Profesor Frashëri i ka bërë apel shtetit të nisë procedurat për mbrojtjen e këtij sajti arkeologjik.

“E veçanta e këtij muzeu është se ai nuk është një muze që tregon vetëm ekspozimin e gjetjeve arkeologjike me vitrinat që priten të vihen në vijim, por ky muze ngrihet mbi rrugët antike të Dyrrahut, të cilat janë tërësisht origjinale, të trashëguara nga epoka antike e qytetit”, nënvizoi profesor Frashëri, gjatë prezantimit të punës së bërë.

“Të ruajtura që prej periudhës ilire janë kryqëzimi i rrugëve të shtruara me gurë dhe anësuar me portikë, trotuare nën portikët, kanale shkarkimi ujërash në të dyja anët e rrugëve, një zbulim i rrallë i periudhës iliro-helene-romake-bizantine”.

Të pranishmit kanë vlerësuar iniciativën e subjektit ndërtues “Rajfi Grup”, që me shpenzimet e tyre, dhe pa asnjë ndihmë nga shteti, bënë të mundur ruajtjen e këtij muzeu.

Haxhi Rama regjisor, Hajdar Kovaci arkitekt, Artur Lekbello, Besnik Rexha e Skënder Hidri, kanë folur rreth këtij muzeu.

Kjo është e para herë që një investitor privat jo vetëm në Durrës, por në Shqipëri, ka një dokument të gjallë arkeologjik, të ruajtur dhe të konservuar me shpenzimet e tij.

K.H.