Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë, në bashkëpunim me shkollën "Protagonistët", kanë bërë të mundur organizimin e një kampi shahu, i cili po zhvillohet në ambjentet e Manastirit të Shën Vlashit në Durrës.
Shahistë të talentuar të grupmoshës nga 10 deri 16 vjeç janë protagonistë të këtij aktiviteti që po zhvillohet për herë të parë në vendin tonë.
Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar, Dusan Rajkoviç po ndjek nga afër përgatitjen e tyre, duke shprehur besimin se këta fëmijë përfaqësojnë të ardhmen e këtij sporti në Shqipëri.
Vendi ynë ka rreth dy dekada, që po përballet me mungesën e shahistëve të rinj, duke mos pasur mundësi të përfaqësohet në konkurse apo aktivitete ndërkombëtare.
Qëllimi i këtij aktiviteti është zbulimi dhe motivimi i talenteve të rinj në sportin e shahut. Gjatë 7 ditëve fëmijët pjesëmarrës do të trajnohen nga profesionistë të fushës. Aktiviteti po zhvillohet në kujdesin e veçantë të Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësisë së tij, Nikolla.