Ndërsa kemi hyrë në muajin e fundit të vjeshtës, sezoni turistik në Durrës vazhdon ende. 762 turistë të huaj kanë mbërritur mëngjesin e sotme me krocerën “Amera”, e cila u ankorua për herë të parë në portin më të madh në vend. Me këtë rast, në shenjë mirëseardhjeje për anijen turistike, Autoriteti Portual Durrës kishte menduar për organizimin e një ceremonie të veçantë, që në gjuhën teknike quhet “maiden call”.
Në ceremoninë e zhvilluar në bordin e krocerës “Amera” i pranishëm ishte drejtori i ri Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, kapiteni i portit Taulant Allka etj.
Ashtu siç e do edhe tradita detare, kapitenit të krocerës ju dhurua një pllakë simbolike, e cila do të përkujtojë gjithnjë datën 5 nëntor 2019, kur anija turistike preku për herë të parë tokën shqiptare.
Pllaka simbolike iu dhurua autoriteteve të krocerës nga kapiteni i portit, Taulant Allka, ndërkohë që kapiteni i anijes turistike nënvizoi se në vizitën e ardhshme në portin e Durrësit, pllaka do të jetë e vendosur përkrah gjithë pllakave të tjera të varura në hapësirën e veçantë që krocera “Amera” u rezervon “maiden call”-ve të dhuruara në të gjitha portet ku ajo është ankoruar.
Ndërkohë në bisedën që kapiteni i krocerës zhvilloi me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të APD-së, Pirro Vengu, ai, pasi falenderoi autoritetet portuale për të gjitha lehtësirat e ofruara në kalatë, nënvizoi se thellimi i portit të Durrësit duhet të realizohet sa më parë, pasi anijet e përmasave të mëdha, siç është krocera “Amera” hasin vështirësi në ankorim.
Drejtori Vengu deklaroi se tashmë prej dy muajsh ka nisur thellimi i basenit të portit dhe me përfundimin e këtij investimi anijet që deri më tani nuk kanë mundur të vijnë në Durrës do të ankorohen pa asnjë vështirësi. Në të njëjtën kohë, Vengu tha se po punohet që në të ardhmen të realizohen edhe disa investime të tjera të rëndësishme, për të bërë portin e Durrësit një destinacion sa më atraktiv për krocerat, skafet apo velierat, si dhe për ta kthyer atë në një nga portet më të rëndësishme dhe më konkuruese në rajon përsa i përket transportit të mallrave.
Më pas, delegacioni i portit të Durrësit zhvilloi një tur të shkurtër nëpër krocerën “Amera”, duke parë nga afër ambientet e brendshme të saj, baret, restorantet, hapësirat dedikuar argëtimit të turistëve në bord etj.
Krocera “Amera” e regjistruar në ishujt Bahamas dhe në pronësi të kompanisë Phoenix Reisen GmbH është ndërtuar në vitin 1988 dhe kap vlerën 160 milion dollarë.
Anija turistike me gjatësi 204 metra lundroi gjatë natës së kaluar nga ishulli Santorini (Greqi), ndërkohë që pasditen e sotme u largua nga porti i Durrësit për të vijuar itinerarin e saj.
Me ndryshimet e bëra në kalatën nr.4 të portit më të madh në vend në fillim të sezonit turistik u përmirësuan ndjeshëm kushtet e ankorimit dhe të furnizimit me ujë dhe energji elektrike për jahtet dhe velierat që mbërritën këtë verë në Durrës. Në ndryshim nga vitet e shkuara, përshtypjet e lëna nga turistët e huaj në blogjet për udhëtimet ishin mjaft të mira për portin e Durrësit, madje dhe koha që ata kanë kaluar në qytetin bregdetar është rritur ndjeshëm duke qenë mesatarisht 3 ditë, nga rreth 7 orë që ishte vite më parë.
M.B.





