Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, do të shkojë në Maltë në dhjetor dhe do të jetë vizita e parë në një vend të Bashkimit Evropian që nga dhjetori i vitit 2021.

Mediat ruse shkruajnë se Lavrovi do të marrë pjesë në një takim të OSBE-së, anëtare e së cilës është Rusia. Takimi do të zhvillohet më 5 dhe 6 dhjetor në Maltë.

Brukseli vendosi sanksione të shumta ndaj Lavrovit, si dhe pjesës tjetër të administratës ruse, por nuk e ndaloi ministrin rus të udhëtonte brenda bllokut për të mbajtur linjat e komunikimit të hapura.

Hera e fundit që Lavrovi vizitoi territorin e një anëtari të BE-së ishte në dhjetor të vitit 2021 në Stokholm të Suedisë.