Për herë të parë, shërbimi i hemodializës, jetik për këdo që e kanë të nevojshme atë, kryhet edhe në Vlorë. Deri më sot, për të kryer hemodializën, pacientët duhet të udhëtonin tri herë në javë drejt Tiranës, të shoqëruar nga familjarë, për ta kryer në spitalin “Nënë Tereza” ose në Fier, seancat që zgjasin deri në 4 orë dhe me tri turne. Tashmë ky shërbim për Vlorën ofrohet në spitalin rajonal ku është ngritur Qendra e re e Hemodializës.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kryebashkiaku i Vlorës vizituan sot Qendrën e re të Hemodializës, ku Rama u takua dhe me disa pacientë që ndërkohë ishin duke kryer dializën. Hapjen e Qendrën, ata e quajtën shërbim në derë të shtëpisë. Në Tiranë, shumë prej tyre, për shkak të kërkesave të larta, u duhej ta kryenin atë në turn të tretë.

Hapja e Qendrës së Hemodializës në Vlorë është kryer falë partneritetit të suksesshëm publik-privat. Kostoja e këtij shërbimi që përfitohet falas nga pacientët  është më e ulët se ajo që kryhej deri dje.

“Kjo është prova e prekshme e të vërtetë, që ajo që bota e bën rregullisht dhe e bën rutinë sot, partneritetin publik-privat në shërbimin shëndetësor dhe që këtu është kriminalizuar, sikur po bëhet një hata e madhe, faktikisht rezultatet ja ku janë. Në atë lloj sistemi paguheshin nga shteti 90 euro dhe merrej një shërbim mizerabël. Në këtë skemë, shteti paguan vetëm 80 euro dhe merr shërbim që është me standarde europiane, të certifikuar si kudo. Është shumë rëndësishme që të gjithë ata që bëjnë hemiodializë të shpëtojnë, siç shpëtuan këta në Vlorë, ata në Korçë, ata në Shkodër dhe ata në Lezhë e me radhë, sipas kontratës. Të vijë ky shërbim dhe të mbarojë kjo torturë për qindra e qindra familje që shohin makthe. Plus janë detyruar që shpeshherë ta bëjnë turni i tretë”, u shpreh kryeministri. 

Kjo qendër është ndër 5 qendrat që hapen në vend gjatë këtij viti, çka do të ulë ndjeshëm edhe shpenzimet e transportit që paguheshin nga spitali për këta pacientë. Sipas ministrit Beqaj, pacientët e hemodializës do t’i marrin në vend edhe ilaçet. “Shkurtim kohe për pacientin e familjarët. Nuk shpenzojmë më për transportin. Spitali paguante 3 herë në  javë për çdo transport dhe shkonte në vit, 600-700 euro për çdo pacient. Edhe shpërndarja e barnave me listën e re të rimbursimit do t’i marrin këtu dhe nuk ka më nevojë të vijnë në Tiranë. Është e para në 5 pikat që  do hapim këtë vit sipas kontratës”, tha Beqaj.

Kjo qendër i vjen në ndihmë edhe të gjithë atyre pushuesve që e kanë të dosmodoshme këtë shërbim, të cilin mund ta kryejnë edhe gjatë periudhës së pushimeve të sezonit veror.