Elisa Spiropali i është përgjigjur ashpër ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili në një deklaratë tha se Rama do e emëronte ministre të Jashtme, por që sipas tij, kjo nuk ndodhi pasi Spiropali ishte takuar me grupin e Bajrave.
Spiropali me anë të një postimi në rrjetet sociale, paralajmëron se nuk do i ndahet deri sa t’i nxjerrë të gjitha të palarat.
Ajo po ashtu shkruan se: në seancën e radhës nuk do të lë kusur pa të marrë, huq pa ta goditur, gënjeshtër pa ta nxjerrë në shesh.
Postimi i plotë i Elisa Spiropalit:
O Sali, sa herë që ti leh më kujtohet ajo shprehje e Popullit për ata që kur janë me një këmbë në varr, ndotin në derën e xhamisë.
Të kuptoj o Sali. Ta kuptoj mirë hallin që ke.
S’është kollaj me të dalë e liga me Shkodrën që në 33 vite e ke bërë të vuajë një mijë të zeza.
Shkodra është kocka që të ka mbetur në fyt, dhe nuk e kalon dot poshtë as me kockat që të hedhin si shpërblim.
Prandaj bërtet e çirresh si lugat. Të largosh frikën tënde. Por e ke kot.
I je futur detit më këmbë. S’ke tjetër fat veçse të zhytesh e të mbytesh si e meriton në detin e dreqnive që i kurdise vet.
O Sali, shih gjej ndonjë kurë për ankthet e tua, se për mua edhe 100 vjet të rrëmosh nëpër skuta e nëpër zgëqe, noc rrokun do gjesh.
Se çfarë ministre do jem unë, atë nuk e ke në dorë ti o Sali.
Unë, o Sali, do vazhdoj të jem ajo që jam. Ajo që të vjen hakut ty.
Ka ikur koha jote.
Ti o Sali, s’bën dot më Gërdec tjetër, të tjera vrasje në bulevard, a të tjera të zeza që mund të dalin vetëm nga mendja jote e çkurdisur pa kthim, nga truri yt i sëmurë pa shërim.
Dëgjo o Sali, më zuri ky taksirat mua. Nuk do të të ndahem asnjë çast derisa të t’i nxjerr sheshit të gjitha të palarat dhe djallëzitë.
Selam o Sali! Në seancën e radhës. Jo të Foltores tënde. Të Foltores time. Ku nuk do të lë kusur pa të marrë, huq pa ta goditur, gënjeshtër pa ta nxjerrë në shesh.