Ndërmarrja Komunale e Plazhit ka nisur pastrimin dhe plugimin e vijës bregdetare në plazhin e Durrësit, në prag edhe të sezonit turistik.
Drejtori Alfred Dhuli tha se me pastrimin e plazhit këtë sezon është punuar në vijimësi nga Ndërmarrja Komunale e Plazhit, që administrohet nga bashkia e Durrësit dhe do të vijojë edhe gjatë natës e ditëve në vijim.
Vështirësitë për të mbajtur të pastër bregdetin janë të shumta sepse moti i paqëndrueshëm sjell në bregdet tonelata leshterikë, por Dhuli shprehet i vendosur se së bashku me operatorët e biznesit do të jetë gjithçka gati.
Në muajin qershor pritet të hapet sezoni turistik, ndërsa puna për mbajtjen pastër dhe higjenizimin e vijës bregdetare do të vijojë për të përgatitur një mjedis sa më të pastër për pushuesit vendas dhe të huaj.
Në këtë fillim sezoni, plazhi është mjaft i pastër dhe vlen të përmendet që jo vetëm autoritetet por edhe vetë pushuesit duhet të tregohen më të kujdesshëm për të mbajtur higjienën dhe pastërtinë në nivele të larta.
K.H.





