Kapriçot e një vogëlusheje 4 vjeçare kanë mbajtur të bllokuar për rreth gjysëm ore në avion 200 pasagjerë.
Avioni i kompanisë Ryanair bëri një ulje të rregullt mëngjesin e sotëm në qytetin e Katania-s, Itali, por pasagjerët nuk mund të zbrisnin, pasi një vajzë 4 vjeçare nuk kishte lidhur rripin e sigurisë.
Mos lidhja e rripit bëri që të mos respektoheshin procedurat e sigurisë, e për pasojë pasagjerët e Boeing-ut mbetën të bllokuar më shumë se gjysëm ore në avion.
Mësohet se vogëlushja që solli bllokimin e pasagjerëve nisi të bënte kapriço në momentin, kur stjuardesa njoftoi për vënien e rripit të sigurisë.
Prindërit e vogëlushes i dhanë të drejtë të miturës dhe megjithë insistimin e stjuardesës dhe komandantit ata nuk dëgjuan t’i vendosnin rripin vajzës, madje arritën të ngrinin edhe zërin në avion.
Meqë avioni u ul pa lidhur rripin e sigurisë njëri prej pasagjerëve, portat e mjetit fluturues nuk hapeshin.
Pasagjerëve ju desh të prisnin mbërritjen e policisë kufitare për të dalë nga avioni.
Në momentin e zbritjes nuk munguan ankesat e pasagjerëve drejtuar personelit të avionit, policisë dhe padyshim prindërve të vajzës.
Këta të fundit, bashkë me kapriçozen 4 vjeçare, u shoqëruan për në polici.





