Nga Rolant Xhelilaj* 

Nga të dhënat e deritanishme në një analizë të përgjithshme të situatës së kultivimit të bimëve narkotike në qarkun e Durrësit vihet re që situata nuk është aspak pozitive. Të paktën, nga viti 2010 e deri me sot, kemi një rritje të kultivimit të tyre.

STATISTIKAT

Për vitin 2010, kryesisht në rrethin e Krujës në fshatrat Bruz-Zall (komuna Çudhi), Mazhë e Madhe (komuna Bubq), Zgërdhesh / Halil (bashkia Fushë-Krujë) janë evidentuar gjithsej 8 raste të kultivimit të kanabisit: zbuluar 5 raste, me autorë, 5 të arrestuar, 1 në gjendje të lirë.

Për vitin 2011 në fshatrat Thumanë (komuna Thumanë), Draç e Gjuricaj (komuna Ishëm), Kurçaj (komuna Nikël), Mafsheq (komuna Çudhi), lagjen nr. 17/1 (bashkia Durrës), janë evidentuar gjithsej 6 raste të kultivimit të kanabisit, ku u zbuluan 3 raste, me 4 autorë, 3 të arrestuar, 1 në gjendje të lirë.

Per vitin 2012 në Porto Romano dhe lagjen nr. 1 (bashkia e Durrësit), Përroi-Pren [nuk ka ndonjë toponim të tillë në rrethin e Krujës – “Dyrrah”-u]), fshatin Erzen (komuna Katund i Ri), Gjepalaj (komuna Gjepalaj), bashkinë Sukth, fshatrat Gjuricaj (komuna Ishëm), Luz (bashkia Fushë-Krujë), Bruz-Zall (komuna Çudhi) u evidentuan gjithsej  11 raste të kanabisit, ku u zbuluan 10 raste, me 11 autorë, 9 të arrestuar, 1 në kërkim.

Për vitin 2013 në lagjen nr. 15 (bashkia Durrës), fshatrat Halil, Arrameras, Zgërdhesh (bashkia Fushë-Krujë), Mafsheq, Nojë, Rranz, Shqezë, Bruz-Mal, Bruz-Zall (komuna Çudhi), Verjon, Mukaj (komuna Nikël), Brret (bashkia Krujë), Shetel (komuna Gjepalaj), Erzen (komuna Katund i Ri), Kuçok (bashkia Manëz) u evidentuan gjithsej 40 raste të kultivimit kanabis, ku u zbuluan 11 raste, me 12 autorë, 7 të arrestuar, 1 në gjendje të lirë, 4 në kërkim.

NIVEL RISKU I LARTË

Siç shihet dhe nga të dhënat, gjatë vitit 2013 është rritur ndjeshëm numri i kanabisit, por dhe sasia e lëndës narkotike të prodhuar. Qarku i Durrësit futet në një nivel risku të lartë.

Ajo çka konstatohet me shqetësim është rritja nga viti në vit i këtij fenomeni. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se, pavarësisht punës së konsiderueshme të policisë në këtë drejtim, analizat, raportet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare tregojnë që vendi ynë hyn në vendet me rrezik të lartë prodhimi, trafikimit etj. Kanabisi kultivohet dhe trafikohet në vendin tonë shumë e shumë më tepër se sa rastet e evidentuara dhe të kapura nga policia e shtetit.

ARSYET

Për fat të keq, kjo ka ardhur dhe si rezultat i mosbashkëpunimit konkret të strukturave të njësive të qeverisjes vendore dhe kryetarëve të fshatrave me policinë e shtetit.

Vetëm gjatë viteve të kaluara nga kryetarë të njësive të qeverisjes vendore vijnë shkresa zyrtare, ku informohet që nga kontrolli i ushtruar nga strukturat e njësive të qeverisjes vendore (shtabet e tyre) nuk janë gjetur asnjëherë vatra apo pjesë të mbjella me bimë narkotike në njësitë e tyre, ndërkohë që nga operacionet e policisë, që u cituan më lart, rezulton e kundërta. Del se këto struktura ose nuk e ushtrojnë detyrën e tyre ashtu siç parashikon ligji, ose mbetet fakti që mund të bëhen pjese e këtij veprimi të paligjshëm, çka nuk do të më pëlqente ta përcaktoja në mënyrë të tillë.

Lind nevoja e një bashkëpunimi dhe koordinimi konkret të punës së të gjithë shtabit dhe njësive të qeverisjes vendore në mënyrë të veçantë në këtë periudhë, ku ekziston mundësia dhe rreziku për mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike.

Kërkohet përgjegjshmëri dhe angazhim në drejtim të ngritjes së shtabeve në nivel bashkie / komune “Për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”, ku për këtë kryetarët e njësive të angazhojnë administratën e tyre dhe kryetaret e fshatrave. Këta të fundit duhet të informohen me përgjegjësitë ligjore dhe penale që u ngarkon ligji në raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatrat e tyre. Duhet theksuar që ky bashkëpunim të jetë konkret dhe jo vetëm në shkresa apo fjale. Të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm se, nëse do të ketë bashkëpunim më efikas të kryetarëve të fshatrave apo komunitetit me Policinë e Shtetit nuk do mund te mbillej apo kultivoheshin bimët narkotike.

DETYRAT

Shtabet e ngritura në nivel vendor duhet të hartojnë dhe zbatojnë planin e veprimit për njësinë si dhe do të informojnë në mënyrë zyrtare, në mënyrë periodike shtabin në nivel qarku, çdo 15 dite për punën e bërë.

Nga këto shtabe vendore kërkohet bashkëpunim i ngushtë, në veçanti me të gjitha strukturat e policisë së shtetit, kryetarët e fshatrave dhe komunitetin në tërësi.

Nga drejtoria e policisë së shtetit të qarkut kërkohet zbatimi i planeve të veprimit në të gjithë territorin e qarkut dhe në veçanti në zonat problematike, si dhe informimi i shtabit në nivel qarku në mënyrë periodike. Po ashtu të krijohen ura bashkëpunimi të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm me Policinë e Shtetit për parandalimin, por edhe goditjen e rasteve të përfshirjes së punonjësve të policisë apo funksionareve të shtetit (kryetarë fshatrash, etj. etj.) në këtë aktivitet të paligjshëm.

Drejtoria Arsimore Rajonale, në bashkëpunim me Policinë, Drejtorinë e Shëndetit Publik (mjekë, psikologë), të organizojnë në shkollat e mesme, profesionale si dhe 9-vjeçare takime të ndryshme informimi, ndërgjegjësimi dhe diskutimi me nxënësit rreth bimëve narkotike, njohje të kuadrit ligjor, si dhe pasojat negative në shëndet, si dhe orë të lira mësimore dhe aktivitete të ndryshme për këtë qëllim. Për të gjitha këto takime të informohet shtabi në nivel qarku në mënyrë periodike. Gjithashtu Drejtoria Arsimore Rajonale të organizojë ekspozita, konkurse, ese me këtë tematikë, si dhe aktivitete të ndryshme në kuadër të informimit dhe ndërgjegjësimit të nxënësve.

Drejtoritë e Pyjeve në Durrës e Krujë të bashkëpunojnë me policinë e shtetit dhe njësitë e qeverisjes vendore (kryetarët e komunave / bashkive dhe kryetarët e fshatrave) si dhe të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme të gjitha territoret pyjore ne veçanti zonat problematike.

Drejtoria e rajonale e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të marrë të gjitha masat ligjore lidhur me kontrollin në importimin e farërave si dhe kontrollin dhe monitorimin e subjekteve që merren me kultivimin e kërpit për qëllime industriale (nëse ka raste të tilla në qark).

Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit, brenda kompetencave ligjore, të ushtrojë vëmendje të veçantë kontrollit kufitar me qëllim parandalimin e trafikut të bimëve narkotike.

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me shtabin në nivel qarku dhe shoqërinë civile, të ndërmarrë nisma dhe fushata sensibilizuese, si dhe informim të studentëve.

Shtabi në nivel qarku të përgatisë posterë dhe fletëpalosje, të cilat do të shpërndahen në të gjitha mjediset publike dhe veprimtaritë që do të zhvillohen.

Të gjitha këto aktivitete por dhe të tjera që mund të sugjerohen dhe ndërmerren, duhet të zhvillohen në harkun 3-mujor të kësaj periudhe, mars-qershor 2012.

* Prefekt i qarkut të Durrësit. Përmbledhje e fjalës së mbajtur më 24 mars 2014 në mbledhjen e shtabit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.