Nga Henri Çili
Ilir Meta na e bëri më të lehtë të gjithëve. Kalimi i LSI nga koalicioni qeveritar në atë opozitar duket se krijoi një dinamikë të re për zgjedhjet e 23 qershorit, propozoi një garë të re, propozoi një mënyrë të re për të vështruar 4-vjeçarin që ka kaluar, propozoi një shikim të ri mbi ekipet, programet, fushatat, alternativat. Zgjedhja e 23 qershorit nuk është më mes qeverisë dhe opozitës së deri pak javëve më parë, mes mëkatarëve të pushtetit dhe engjëjve të opozitës, mes Berishës së të gjitha pushteteve dhe Ramës së të gjitha vuajtjeve, mes…, mes…, mes…
Asgjë nuk është më si më parë. Të gjithë janë në shtëpinë e tyre, me ndonjë përjashtim si Ngjela në oborrin e kryetarit Rama apo Islami dhe Dogjani me pasaportizim të ri te Berisha. Por, këto janë thjesht detaje apo përjashtime që përforcojnë rregullin. Zgjedhja mes së majtës e të djathtës është pikërisht zgjedhja e vërtetë e 23 qershorit. Ndaj pozicionimi i përfaqësuesve të opinionit publik në lidhje me atë që duhet të ndodhë më 23 qershor është më e lehtë, më e thjeshtë dhe më legjitime si e tillë. Ndaj dosja e MAPO Weekend e kësaj jave, me titullin kuptimplotë të marrë nga lëvizjet e ‘68-ës ‘Tekniciene’, pra “Analistë, pozicionohuni!” pothuajse nuk na ndeshi vështirësi te shumica dërrmuese e analistëve, me ndonjë përjashtim të vogël rastësor.
Duke theksuar një traditë që po bëhet pozitive nga zgjedhja në zgjedhje, analistët dhe komentatorët e medias shqiptare, janë gjithnjë e më të çlirët për t’u pozicionuar, për t’u shprehur dhe për t’u investuar sipas opinioneve të tyre të lira, për atë se çfarë është e dobishme për interesin publik më 2 qershor. Pra, kush duhet të fitojë dhe pse. E gjitha kjo krijon një panoramë të re në peizazhin publik shqiptar, jo se kjo nuk ka qenë më parë; jo se tërthorazi apo pjesërisht nuk ka ndodhur, por sepse, ky është tashmë një fenomen modern.
Është si të legalizosh financimin okult të partive politike. Ajo çka në ShBA është tërësisht e ligjshme, në Europë kamuflohet me njëmijë e një trafiqe interesash. E njëjta gjë, parimi ‘të pozicionuara, por jo partizane’ është mesa duket gjendja e re e korporatës së analistëve më në zë të medias shqiptare, ndryshe nga 10 apo 15 vjet më parë kur financimi i partive politike dhe kamuflimi nën zhguallin e ngushtë të së pavarurës ka qenë një nga hipokrizitë e medias dhe debatit tonë publik. Shkurt, më shumë liri, më shumë transparencë, më shumë karakter, pse jo dhe më shumë inat, por i hapur, i sinqertë, është më i dobishëm për interesin publik dhe ndoshta, në kushtet e drojës së politikanëve për të debatuar mes tyre në studio, vendin e tyre e kanë zënë analistët, gazetarët, editorialistët.
Pse jo, një pjesë thelbësore e political choice (zgjedhjes politike) ndoshta do të jetë zgjedhja e tyre.
http://mapo.al/2013/06/01/per-nje-pozicionim-pa-komplekse-djathtas-ose-majtas-per-23-qershorin/





