DURRËS, 26 qershor 2015 – Në zbatim të planit vjetor të aktiviteteve anti-trafik për vitin 2015 të Komitetit Rajonal Antitrafik dhe Tryezës Teknike Prefekti i Qarkut Rolant Xhelilaj organizoi një takim me përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe konkretisht drejtues të qendrave shëndetësore të zonave me rrezik potencial trafikimi, siç janë zonat e Nish Tullës, Sukthit, Shijakut, Rrashbullit. Ishin të pranishëm dhe administratorët socialë të njësive të qeverisjes vendore të këtyre zonave, përfaqësues nga njësia për mbrojtjen e fëmijëve të qarkut durrës dhe bashkisë Durrës si dhe përfaqësues të OJQ-ve “Në dobi të Gruas Shqiptare”, “Terres des Homes”, Qendra Komunitare Multifunksionale Nish Tulla etj. Në fokus ishin parandalimi dhe identifikimit i personave me rrezik potencial trafikimi në këto zona, analizimi i shkaqeve të këtij rreziku trafikimi, grupet e rrezikuara në veçanti ata me nivel të ulët ekonomik, komunitetit rom etj. u bë prezantimi i një videoje me fokus antitrafikimin “Raporto-Shpëto”.
Prefekti Xhelilaj theksoi rëndësinë e parandalimit dhe në mënyrë të veçantë identifikimit të personave në rrezik potencial trafikimi nga sektori i shëndetësisë dhe administratorët ekonomikë si dy sektorë që janë direkt në kontakt me këtë kategori njerëzish. Sidomos kjo vëmendje duhet të tregohet gjatë periudhës së sezonit turistik, ku fluksi i pushuesve dhe lëvizjet e njerëzve në qark rritet ndjeshëm, çka përbën shkak edhe për zhvillimin e këtij fenomeni.
/red. soc. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/