23 shtator 2013- Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykashi, deklaroi sot se në Standardin e Edi Ramës “ligjet e shtetit nuk ekzistojnë”. Duke iu referuar punimeve të nisura në fasadën e Kryeministrisë, teknikë e Ramës për të fshehur mbushjen e xhepave, deputeti Bylykbashi i ka drejtuar sot disa pyetje zotit Rama, përgjigjja e të cilave s’bën gjë tjetër veçse vërteton faktin, se kryeministri i vendit respekton apo jo ligjet e vendit dhe a ka konflikt interesi në shërbimin ndaj tij.
“Cili akt i Kryeministrit si titullar institucioni ka autorizuar kryerjen e punimeve, blerjen e mallrave dhe shërbimeve? Me cilin akt janë nxjerrë jashtë përdorimit sendet e Kryeministrisë që po zëvendësohen? Nëse është dhurim, a ka një propozim për dhurim? Nga kush është bërë, ku dhe kur është protokolluar? Një dhurim duhet pranuar me akt-marrëveshje. Kur është bërë ky akt? A janë përcaktuar në të gjitha specifikimet e mallrave dhe shërbimeve që po i dhurohen? Firma që ofron dhurimin duhet të lëshojë faturë me TVSH e t'ia dorëzojë Kryeministrisë që të përcaktohet vlera e sendeve dhe shërbimeve që merren në dorëzim si dhuratë. Mbi bazen e kësaj fature, ajo duhet të paguajë çdo tatim sipas ligjit, pavarësisht se po e dhuron punën, shërbimin apo mallin. E ka bërë këtë firma dhuruese? Transparenca për donatorët është e padiskutueshme, që më pas, të dinë qytetarët, a po marrin ndonjë tender apo konçension këta donatorë? Sepse nëse po, a ka ushtruar Kryeministri influence të paligjshme për t'i shlyer atyre borxhin moral apo politik? Nëse i jep këto favore, kjo nuk është me donacion, por konflikt interesi, favorizim në tendera e shkelje të tjera të ligjeve, edhe atij penal”, pyeti deputeti Bylykbashi.
I bindur se ashtu si deri më sot Edi Rama nuk ka për të dhënë asnjë përgjigje për ligjshmërinë e veprimeve të tij, deputeti Bylykbashi theksoi se, një Kryeministër antiligj, ka marrë në dorë shtetin. “Duke gjykuar ç'ka bërë në 15 vjet në politikë, 12 vjet në Bashki, 8 vjet në opozitë dhe në një javë në qeveri, ka më shumë gjasa, që Edi Rama nuk do t'ja dijë për Kushtetutën, parimet e shtetit të së drejtës dhe ligjin. Çdo gjë që i del si pengesë vrullit të tij revolucionar për “Rilindje”, Edi Rama e shkallmon si murin dhe kangjellat e Kryeministrisë. Pyetja e Heminguejt se: "Për kë bien këmbanat?", për fat të keq ka vetëm një përgjigje: Këmbanat po bien për LIGJIN! “, theksoi Bylykbashi.





