– Firma prestigjioze kineze  CEFC Limited(Chinese Energy Company) ka vënë në dispozicion të delegacionit shqiptar një executive jet

– Z. Rama mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit i veshur sportiv me një  Bush Jacket me ngjyrë të zezë të errët; ndërsa protokolli kinez, tejet i vëmendshëm për detajet, dërgoi vetë zëvendësdrejtorin e Drejtorisë së Evropës në Ministrinë e Punëve të Jashtme!

 

DURRËS, 9 shtator 2014 –  Tashmë është bërë traditë për administratën rilindëse, që shumë punë, investime etj. të mos bëhen me shpenzime nga buxheti i shtetit, por falas.

Tipik është rikonstruksioni i zyrave të punës në disa qytete të Shqipërisë krejt falas, pra pa shpenzuar asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit shqiptar: shpenzimet për këto rikonstruksione janë kryer vullnetarisht nga biznesmenë të ndryshëm shqiptarë.

Këtu mund të përmendim rastin e zyrës së punës në Durrës, ku vetë Kryeministri Rama lavdëroi biznesmenin e shquar z. Petoshati për kontributin e dhënë për rikonstruktimin e kësaj zyre në nivelin e simotrave të saj evropiane.

Ndërtesa e Kryeministrisë, po ashtu po i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë dhe të kushtueshëm.

Fatmirësisht nga buxheti i shtetit shqiptar deri tani nuk është harxhuar as edhe një lek.

Gjithë ky investim në Kryeministri është falas, kontribut i një firme VIP, e cila ka seli në Vjenë dhe filial në Tiranë (kjo firmë ndër të tjera e ka pasur edhe emrin  Albatrade, që besohet se ka shërbyer si një lloj “front company” e BIA-s).

Në këtë kuadër edhe udhëtimi i Kryeministrit Rama për në Kinë me një enturazh, ministrash, deputetësh, kryebashkiakësh (Vangjush Dako) do t’i kushtojë zero buxhetit modest të shtetit shqiptar lekë, për sa i përket transportit.

Firma prestigjioze kineze  CEFC Limited (Chinese Energy Company) ka vënë në dispozicion të delegacionit shqiptar një avion falas.

Bëhet fjalë për një avion (N342GA) të tipit modern të klasit  executive jet, me gjasa një “Gulfstream G 550”. 

Ky avion u vu në dispozicion të Kryeministrit Rama dhe shpurës, që e shoqëron, me urdhër personal të  drejtorit ekzekutiv të kompanisë kineze z. Zang Jianjun, i cili është shndërruar në një mik personal të Kryeministrit Rama që kur vizitoi Tiranën në 8 janar 2014, së bashku me z. Yang Honglin ish-ambasador i Kinës në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Z. Rama mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit i veshur sportiv me një  bush jacket me ngjyrë të zezë të errët.

Për të pritur në aeroport shefin e ekzekutivit të Tiranës, protokolli i shtetit me popullsinë më të madhe në botë, tejet i vëmendshëm për detajet, dërgoi vetë zëvendësdrejtorin e Drejtorisë së Evropës në Ministrinë e Punëve të Jashtme z. Chen Guo You!

Me interes për lexuesit durrsakë është edhe tendenca e biznesit kinez në përgjithësi dhe e kompanisë  CEFC në veçanti për të investuar fort në zonën e ish-Kënetës, aty ku shtrihej NB Spitallë në kohën e komunizmit.

Durrsakët presin dhe shpresojnë për lajme të mira për investimet kineze në Durrës, për më tepër që e gjithë kjo vizitë në Kinën e largët do t’i kushtojë shumë pak buxhetit të shtetit shqiptar.

Mikpritësit kinezë do mbulojnë pjesën dërrmuese të shpenzimeve të delegacionit shqiptar në Kinë.

Garanci për investime të mundshme masive kineze në Durrës është edhe prania e Kryebashkiakut Dako, që është njëkohësisht kandidatura më e mundshme e së majtës për superbashkinë e Durrësit në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2015.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/