Nga Andi Bushati
Menaxhimi i padinjitetshëm që Ilir Meta i bëri “krisjes” institucionale për çështjen Lleshi ka hedhur edhe njëherë hije të forta dyshimi për parimësinë e qëndrimeve të kundërshtarëve të Edi Ramës. Sot kur vendi është ribërë me ministër të Brendshëm, gjithëkush e ka të vështirë të kuptojë se përse, kur nevojitej një interpretim aq i thjeshtë kushtetues, u kërkuan senaca me dyer të mbyllura të parlamentit dhe u lëshuan britma qesharake se po rilindte Enveri NR 2.
E gjithë kjo fryrje e paskrupullt të bën të besosh në fabulën e ngritjes të tensionit për të fituar sa më shumë në pazarin e radhës me Edi Ramën.
Në thelb kjo që bëri tani, Ilir Meta, është e ngjashme me fabulën e Lulzim Bashës në çadër. Edhe ai u ngujua për tre muaj në bulevard, u betua se nuk do të hynte me Ramën kryeministër në zgjedhje dhe pastaj shkoi e u ul në tryezë me të për të marrë vetëm disa javë kontrollin e drejtorive të OSSHE dhe Legalizimeve.
Të gjitha këto kompromise të neveritshme po e forcojnë përditë e më shumë dyshimin e njerzve se nuk ka asnjë ndryshim mes regjimit kleptokrat të Edi Ramës dhe opozitës zyrtare.
Askush nuk mund ta kuptojë dot se si mund të fshihen përbetimet për bllokimin e rrugës së kombit, në këmbim të një qeraje më të ulët për zyra.
Askush nuk mund ta kuptojë dot shkeljen e syrit që u bëhet oligarkëve që ndajnë paratë me shefin e qeverisë duke u çuar mesazhe: “Do ju biem nga pak se kështu na e do puna”.
Askush nuk mund të kuptojë dot se si ndodh që ata që kanë vjedhur dje në bashkëpunim me Berishën, sot po e bëjnë pa u hyrë gjemb në këmbë me Edi Ramën.
Pikërisht kjo ballo me maska ku të gjithë luajnë me sikur, po i bind edhe më spektikët, se edhe bombat e përgjimeve që opozita paralajmëron të shpërthejë (nga ato për dëshmi të reja të vjedhjes së votës deri tek implikimi i familjarëve të kryeministrit me trafikantë) nuk kanë asnjë qëllim tjetër veçse rrëmbimin e një llokme nga pazaret miliardshe të Ramës, ose në rastin më fatlum, ndarjen e pushtetit në tavolinë me të.
Natyrisht nuk ka dyshim se këto fakte alarmante pompohen dhe stërmadhohen edhe nga propaganda e pushtetit. Qeverisjes totalisht të diskredituar të rilindjes tashmë nuk i ka mbetur as tjetër nën mëngë veç se të rrëfejë se rivalët e saj janë po aq keq sa dhe ajo. Pra në këtë tablo ku të vërtetat më të frikshme mpleksen me gënjeshtrat më monstruoze, kundërshtarët e Ramës po njolloset përditë e më shumë. Ata tashmë, më tepër se nga ç’do gjë, rrezikohen nga falsiteti i një opozite fasadë. Dhe një opozitë e tillë që mendon veçse për përfitimet e liderëve të saj, as nuk ngjall besim, as nuk motivon dot njerëz, as nuk ka fuqi të krisë sadopak këtë pushtet të korruptuar me kredibilitetin në fund të këmbëve.
Prandaj më shumë sesa misioni denoncues të cilin tashmë e ka realizuar (me kanabisin, dekriminalizimin, hajdutërinë e kocesioneve, PPP-ve dhe grabitjen e votive) koalicioni PD-LSI duhet të investohet në kredibilitetin e vet. Ata nuk e kanë më luksin të luajnë duke e mbajtur një këmbë brenda sistemit. Ata duhet të vetsakrifikohen duke hedhur tej çdo ofiq dhe duke dëshmuar se nuk e kanë të pamundur të ribëhen qytetarë të thjeshtë. Vetëm ky proces i vështirë privimi personal mund të ndryshojë kurbën e besimit tek opozita. Sepse përndryshe, sa herë Ilir Meta të lëshojë alarmin e ringjalljes së Enverit, apo Luli të bëjë sikur po bojkoton parlamentiin, njerzit do të tallen dhe do të thonë me përçmim: “e kanë hallin të lëpijnë kockën e rradhës”. /Lapsi.al