Nga Mentor Kikia
Sa herë na janë shfaqur foto si kjo e kësaj vajze, me maskë dhe uniformën e infermieres, kanë vërshuar fjalët e mira, mirënjohja, solidariteti dhe falenderimet e shumta për mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor, që në këto ditë të vështira po na shërbejnë në spitale dhe shtëpi.
Por kjo vajzë sot është simboli i përbuzjes së qytetarëve. Ajo është arrestuar sepse u zhvaste para familjarëve të të shtruarve në spital.
Ky ishte “grupi“ famëkeq i Tires, pastrueses që i kishte marrë 8 milion lekë(të vjetra) vajzës së një gruaje të shtuar, që nuk i mbijetoi covidit. Përgjimet treguan se infermieret i trajtonin pacientët si mall pazari, duke numëruar paratë që u merrnin secilit.
Unë nuk do ta trondis respektin që kam për mjeket shqiptarë për këtë arsye. Por nuk do të bashkohem asnjëherë me kryeministrin e vendit tim që tha se Tirja është një rast i izoluar. Sepse unë mendoj se as “grupi i Tires” nuk është një rast i izoluar.
Sepse unë dhe shumë të tjerë në këtë vend, kemi përjetuar, dëgjuar dhe parë sesi në spitale duhet të paguash. Të gjithë e dimë që në çdo spital ka një listë çmimesh, nga kirurgu, anestezisti, kryeinfermieri, infermierja, deri tek pastruesja.
Në çdo spital, në çdo qytet!
Këtë gangrenë nuk e lufton rritja e pagës. Sado ta paguash një mjek të tillë, paga e tij do të jetë shumë më e vogël sesa rryshfeti.
Qeveritë refuzojnë ta shikojnë në sy këtë problem, por mjaftohen me një arsyetim idjot, se para se të vinim ne në pushtet, mjekët merrnin më shumë rryshfet se tani.
Kjo situatë nuk merr fund as me një ligj, as me një vendim qeverie. Duhet menduar një zgjidhje e tipit “vetting”, duke shoqëruar rritjen e pagave me masa të ashpra ligjore, por edhe me edukimin e njerëzve që pyetja e parë që bëjnë kur hyjnë në spital është: sa lekë duhet të japim.
Tirja dhe “grupi” i saj u arrestuan falë një denoncimi. Dhe këtë duhet të bëjnë të gjithë, për ata që bluzën e bardhë e nxijnë me këtë sjellje.