Reduktimi i forcave të NATO-s në Kosovë varet nga faktet në terren, posaçërisht nga situata e sigurisë në veri, andaj edhe është i rëndësishëm suksesi i dialogut për sigurinë.

Kështu thotë kundëradmirali Mark C. Montgomery, zëvendësdrejtor për Planifikime, Politikë dhe Strategji në Komandën Evropiane të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i stacionuar në Stuttgart të Gjermanisë.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, kundëradmirali Montgomery thotë edhe se Komanda Evropiane e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e kënaqur me zhvillimet dhe progresin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, ndërsa ai personalisht shprehet i impresionuar me ndjenjat pozitive që ka popullata e Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk mund të ketë një zgjidhje të lehtë të imponuar nga jashtë nga ndonjë forcë ushtarake, e sigurisë apo e zbatimit të ligjit. Prandaj dialogu është korniza e duhur për një zgjidhje afatgjatë. Dhe unë mendoj se është në interes të të gjithëve që dialogu të jetë i suksesshëm, për shkak të integrimit të përgjithshëm euroatlantik, pavarësisht a është fjala për Serbinë apo për Kosovën. Është në interes të të dyja vendeve”, thotë kundëradmirali Marl C. Montgomery.