Përfaqësues të rreth 300 familjeve që banojnë përgjatë rrugës “Aristoteli”, në zonën e Spitallës, dolën sërish sot në protestë, 4 muaj pas protestës së parë.
Shqetësimi është i njëjti. Rruga që po rikonstruktohet me fondet e Këshillit të Qarkut po bëhet në një pjesë të konsiderueshme të saj pa trotuare, gjë që për komunitetin e kësaj zone është e patolerueshme, sepse vihet në rrezik jeta e tyre, sidomos e fëmijëve.
Banorët kërkojnë që në përfundim të investimit, aksi në fjalë të jetë me standarte bashkëkohore, pasi trotuari në disa vende ka gjerësi 30 cm, në disa pjesë të tjera të rrugës mungon krejtësisht.
Ndërkohë që një rrugë dytësore aty pranë ka trotuare në parametra normalë, në këtë rrugë kryesore ato mungojnë.
Rruga që ka një gjatësi prej 550 metra nuk po ndërtohet në formë të njëtrajtshme përgjatë gjithë gjatësisë së saj dhe banorët i tremben faktit se 3 jetët e humbura njerëzore kohë më parë mund të pasohen nga të tjerë viktima. Në të njëjtën kohë, ata i tremben përmbytjeve, pasi rruga po ndërtohet mbi nivel.
Në mbështetje të komunitetit të zonës sot ishin edhe deputeti i PD i qarkut Durrës, Igli Cara dhe kandidatja për deputete, Iliriana Kuçana.
“Është e pakuptimtë kjo që ndodh në çdo rrugë të Durrësit, që kanë po këto probleme. Gjithnjë nuk llogariten përmbytjet, nuk përllogaritet ku do të kalojnë fëmijët, nuk përllogariten as kuotat, asgjë. Me të drejtë qytetarët janë sot të merakosur, se bëhet fjalë për jetët e tyre”, – tha deputeti Cara.
“Fasada dhe propaganda politike duhet të marrë fund, duhet të jemi serioz me investimet, sepse janë investime publike. Janë me paratë e tyre, janë me taksat e durrsakëve dhe këta nuk duhet të tallen me taksat e durrsakëve. Unë mendoj se ky trotuari nuk kushton aq shumë; 3 shishe vere të Gys Agasit, bashkë me Emiriana Sako dhe Edi Ramën”,- tha ndërr të tjera kandidatja Kuçana.
Me fondin rreth 43 milionë lekë të akorduar nga Këshilli i Qarkut është parashikuar të kryhet rikonstruksioni i rrugës “Aristoteli” dhe sistemimi dhe asfaltimi i rrugës “Shekspir & Arzenta”. Punimet duhet të përfundojnë brenda 5 muajve.
M.B.





