DURRËS, 28 mars 2014 – Pakkush e di që çdo natë janë fshirë me fshesë në turnin e tretë mesatarisht 353 500 metra katrorë sipërfaqe ose 83 për qind e rrugëve dhe shesheve. Gazetarëve, që u bie rasti të dalin shumë vonë nga redaksitë dhe nëse do të ecin më këmbë rrugëve të qytetit, do t’i shoqërojë refreni i zhurmës së fshesave. Dhe sheh ato gra apo burra të fshijnë rrugët në të ftohtë apo në vapë. Të përkulur mbi karroca dhe kazanë, me fshesat në dorë që mbledhin mbeturinat, rreken të futen mes makinave të parkuara. Punë e pastër mes pisllëkut…
SEKTOR I VËSHTIRË
Është një sektor, i vështirë, me probleme, ku dhe puna nuk ka shumë duk, pasi ankesat e qytetarëve, me gjithë përpjekjet e drejtuesve dhe punëtorëve, janë të shumta; këto fjalë i takojnë ndërmarrjes së shërbimeve komunale (NSHK) në varësi të bashkisë së Durrësit. Ndryshe nga shumë njësi të qeverisjes vendore, në Durrës pastrimi i qytetit është publik dhe nuk mund të ankohesh për firmat private, që sjellin shqetësime me tenderët apo deri dhe krime në garat, madje, ky nuk është problem vetëm shqiptar, pasi në Itali deri dhe në SHBA pastrimin e disa qyteteve të mëdha e kanë marrë organizata mafioze (le të kujtojmë serialin e famshëm amerikan “Sopranot”).
Ne shpesh herë nuk kemi ndonjë përfytyrim të vërtetë se ç’do të thotë të punosh në komunale. Nuk i dimë përmasat reale të punës vetëmohuese. Ne e kemi mendjen te politika dhe kronika e zezë, thashethemet me VIP-a. Nuk i “shohim” njerëzit e thjeshtë. Pastaj ankohemi ndaj tyre, ku me të drejtë dhe ku pa të drejtë. Gjithsesi, po të flasësh me pastruesit, shoferët, nëpunësit e ndërmarrjes së shërbimeve komunale, papritur të hapet një tablo mahnitëse, ndonëse dhe me stonatura të natyrshme të kohës dhe ndryshimeve në shoqëri. Duke biseduar me drejtorin e NSHK-së, Luan Zaza, me një përvojë të gjatë në drejtim, mëson gjera interesante, deri dhe në mungesën e fondeve nga qeveria e kaluar apo bllokimet në këshillin bashkiak nga opozita e sotme, ish-shumicë në “parlamentin” e qytetit.
FSHESARËT
Zaza thotë se gjatë vitit 2013 janë evaduar 47 334 metra kub mbetje urbane, të ndara: të gjelbra 193 metra kub dhe urbane 47 141 metra kub; 1 041 metra kub dhera dhe inerte dhe 380 metra kub leshterik, pra në total janë evaduar 48 755 metra kub ose 29 583 tonë ose mesatarisht janë evaduar 132,85 metra kub/ditë.
Ja ata fshesarët, kanë mirëmbajtur rrugët, trotuaret dhe sheshet gjatë ditës (turni I dhe II) 64-66 për qind të sipërfaqes, ose të shprehura në sipërfaqe, çdo ditë kanë mirëmbajtur mesatarisht 362 000 metra katrorë në ditë turni I dhe 270.000 metra katrorë turni II. Çdo natë janë fshirë me fshesë turni III mesatarisht 353 500 metra katrorë sipërfaqe ose 83 për qind e rrugëve dhe shesheve.
Është krehur mesatarisht një sipërfaqe prej 120 000 metra katrorë në ditë nga 553 000 metra katrorë sipërfaqe e inventarizuar, që do të thotë që çdo 5 ditë është bërë krehja e të gjithë sipërfaqes. Ndërsa gërryerja, si proces me vete, është realizuar mesatarisht në 29 100 metra katrorë në ditë. Janë dizinfektuar 500 000 metra katrorë sipërfaqe, janë deratizuar 9 000 metra katrorë sipërfaqe, janë dizinfektuar çdo ditë VMM dhe kazanët. Janë dizinfektuar kopshtet (kuzhinat) dhe çerdhet.
DEPOZITIMI I MBETJEVE
Në vendin e grumbullimit të mbetjeve, i cili administrohet nga ndërmarrja e shërbimeve komunale (NKSH) për vitin 2013 janë depozituar në total (mbetje urbane,dhera, leshterik) 155 677 metra kub ose 97.298 tonë ose 426 metra kub/ditë, ku përveç NKSH-së depozitojnë ndërmarrja komunale Plazh, komunat e Golemit, Rrashbullit, Katundit të Ri, Xhafzotatj, bashkitë e Kavajës e Shijakut, Autoriteti Portual Durrës dhe operatorë privatë.
SIPËRFAQET E GJELBRA
Për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra nga sektori i gjelbërimit që funksionon pranë kësaj ndërmarrjeje janë rimbjellë 5 600 metra katrorë me bar, janë mbjellë 17 700 fidanë me lule sezonale, 250 fidanë oleandër. Janë kryer shërbimet agroteknike në sipërfaqet e gjelbra dhe në bimësinë dekorative si ujitje, prashitje, krasitje, kositje, formatim shkurresh dekorative dhe gardhe të gjelbra etj.
MIRËMBAJTJA E VARREZAVE
Në shërbimin e mirëmbajtjes së varrezave është mirëmbajtur një sipërfaqe e të dy varrezave në total prej 370 000 metra katrorë. Janë fshire çdo ditë rrugët dhe rrugicat në një sipërfaqe prej 3200 metra katrorë; janë ndërtuar 30 ura kalimi; është mirëmbajtur bimësia dekorative duke i kryer shërbimet e nevojshme agroteknike; janë hequr drurët dhe bimësia e tharë dhe e dëmtuar nga hapësira ndërmjet varreve.
/th.m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





