Prej ditës së djeshme është njoftuar largimi i ish-prefektit të Lezhës Gjok Jaku nga PS duke iu bashkuar Partisë Agrare Ambientaliste.
Lidhur me këtë vendim, Jaku në MCN Live deklaroi se një nga arsyet e kësaj dorëheqje nga posti i tij ishte moskordinimi dhe bashkëpunimi i drejtuesit të bashkisë me prefekturën e Lezhës.
Ai ngriti akuza në drejtim të bashkisë Lezhë se ka shpërdoruar fondet publike, ndërsa theksoi se ka bërë dhe denoncime lidhur me këto problematika për të cilat është kujdesur që ti nxjerr në pah.
“Unë jam larguar përmes një dorëheqje nga komisioni i qarkut Lezhë që 3 prill gati 10 muaj më parë dhe natyrisht vendimi për tu larguar nga funksioni perfektit të cilin besoj se e kam kryer ndershmërisht, por erdhi një moment që puna dhe vijimësia nën këtë funksion u bë e vështirë për shkak të mungesës thuajse të plotë të komunikimit me bashkinë Lezhë.
Në punën time ka qenë e vështirë të pengohem, por doja të thosha se në raste të përsëritura puna, veprimtaria dhe funksionet e bashkisë Lezhë binin ndesh me qeverisjen e mirë dhe ndoshta dhe devijim të vendimmarrjes së interesave të publikut. Prej 3 vitesh në atë funksion jam përpjekur të denoncoj një numër problematikash, gjëra që shpesh herë kanë rënë në injorimin e drejtuesit të bashkisë.
Kam bërë çdo përpjekje që bashkëpunimi dhe koordinimi i perfektit dhe bashkisë të jenë të një cilësie të mirë. Çdo gjë e kam të afishuar në media për mënyrën e funksionimit të administratës së bashkisë për shkak të disa vendimeve të cilat bien ndesh me interesat e publikut.
Po them që së pari kanë lidhje me fondet publike. Një numër aktesh janë të depozituara në bashki dhe prefekturë”, u shpreh Gjok Jaku.
Më tej Jaku ka bërë thirrje për organet e Kontrollit të Shtetit që të hetojnë dhe të izolojnë përdorimin e fondeve të bashkisë Lezhë. Sipas tij, bashkia Lezhë ka qenë një nga bashkitë përfituese për rindërtimin e tërmetit.
“Kjo ka qenë dhe ndër arsyet e rritjes së presionit të punës sime dhe për të shmangur një përplasje me bashkinë Lezhë zgjodha të jap dorëheqjen. Bashkia ka shpërdoruar fondet publike, kam bërë denoncime për shpërdorimin e këtyre fondeve.
Kjo është detyrë e organeve të KLSH dhe ministrisë së brendshme të shohë menaxhimin e fondeve publike për bashkinë Lezhë sepse ka qenë një nga bashkitë përfituese për rindërtimin e tërmetit dhe mendoj se përdorimi i tyre ka minimizuar ndërhyrjen në rregullimin e fasadave pa ndërhyrë në strukturën dhe rehabilitimin e atyre që janë marrë përsipër nga bashkia.
Sot jam një qytetar i lirë dhe nuk mendoj se është detyrimi im të adresoj një çështje të caktuar”, u shpreh ish prefekti i Lezhës.