FIER- Ngushtohen pistat e hetimit në lidhje me vrasjen e 49-vjeçares Asinja Krytha, ngjarje kjo e ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Fierit. Burime zyrtare bëjnë me dije se përveç pistës së grabitjes, përjashtohet edhe mundësia e një hakmarrjeje të mundshme nga ana e bashkëshortit të viktimës.
Mësohet se nëna e dy fëmijëve, e cila u masakrua me thikë në afërsi të banesës së saj, ka qenë e martuar me një burrë nga Shkodra. Sipas hetuesve të çështjes, viktima është divorcuar me bashkëshortin, Kujtimin, 4 ditë para se të ekzekutohej në rrugë nga persona ende të panjohur. Ata sqarojnë se Krytha kishte mbi një vit që kishte lënë Shkodrën dhe banonte në lagjen “Kryengritja e Fierit”, afër vëllezërve të saj.
Nga martesa me Kujtimin, viktima ka dy fëmijë, vajzën 21 vjeçe dhe djalin 19 vjeç. Ndërkohë, mësohet se Kujtimi për afro 14 vjet jeton në emigracion në Norvegji dhe se në këtë vend ai bashkëjeton me një femër, me të cilën ka dy fëmijë. Sipas burimeve policore, Kujtimi është marrë në pyetje dhe nuk ka ditur asgjë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Asinjës. Pas verifikimeve të bëra në sistemin TIMS (hyrje–daljet), ka rezultuar se ish-bashkëshortit i viktimës nuk ka hyrë dhe dalë në Shqipëri prej më shumë se një viti. Po të njëjtat burime shprehen se 49-vjeçarja mund të jetë vrarë për ndonjë porosi të caktuar, apo një premtim që ka zhgënjyer dikë.