Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kërkoi prej drejtuesve të njësive të tjera vendore që të respektojnë Kodin Zgjedhor, duke kufizuar përdorimin dhe afishimin e materialeve propagandistike zgjedhore që sjellin ndotje të ambienteve publike.
"Ju e dini që jemi në situatë, ku me kodin e ri zgjdhor ka rënë volumi i ndotjes akustike, vizive, estetike në qytet dhe inkurajimi gjithmonë ka qenë, sidomos për kryetarët e bashkive është një dramë fushata, se shpërthejnë posterat, ndotja dhe grafiti, vandalizmi që ndodh prej pasionit militant, fatmirësisht për kodin e ri, edhe fushata është me e shkurtër, por edhe këto billbordet janë hequr. Në këtë sens të inkurajojmë të gjithë një fushatë më civile, më modeste, më me këmbë në tokë, edhe pa kallangjosje që i ndodh tipikisht qyteteve, ku gjithë Shqipëria bëhet për një pastrim masiv pas fushate."
Në takimin e zhvilluar me anëtarë të Këshillit Konsultativ "Qeveri Qendrore-Vetqeverisje vendore". Veliaj kërkoi fillimin e punës për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore dhe evidentimin e ambienteve që mund të përdoren si qendra votimi.
"Duke qenë se është një vit i rëndësishëm, dua që t’i bëj një thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, nuk ka asnjë arsye pse dikush që është sot kryetar bashkie, mos të identifikojë që tani qendrat e votimit dhe të mos kemi histori që përsëriten vit pas viti, ku qytetarët shkojnë dhe votojnë nëpër lokale. Sot vetëm numri i shkollave, kopshteve, çerdheve, bibliotekave që janë rregulluar falë kontributit të kësaj mazhorance, e bën të pafalshme që një kryetar bashkie të thotë që nuk gjeta vend tjetër, por shkoni te lokali i çunit të dajës. Kjo është pa sens."





