Zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara po bëjnë histori në shumë nivele. Ato do të përballin ish-presidentin Donald Trump, republikan, dhe presidentin aktual, Joe Biden, demokrat. Të dy ata ishin në garë për president edhe në vitin 2020 dhe përballja e përsëritur ndodh për herë të parë në gati 70 vjet.
Nëse fiton, Biden, 81 vjeç, do të bëhej presidenti më i vjetër amerikan që siguron një mandat të dytë katërvjeçar në muajin nëntor. Ai ka hedhur poshtë çdo dyshim të mundshëm për qëndrueshmërinë e tij mendore dhe fizike.
Trump, i cili përballet me një sërë akuzash penale për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në vitin 2020 – i cili ka nxjerrë fitues Bidenin – si dhe për keqbërje të tjera të supozuara, është presidenti i parë amerikan që ka dalë në gjyq për njërën akuzë penale. Në moshën 77-vjeçare, ai do të ishte gjithashtu ndër burrat më të vjetër që do të shërbente si president, nëse do të fitonte mandatin e dytë.
Robert F. Kennedy Jr., 70 vjeç, pasardhës i familjes së famshme politike Kennedy, do të garojë gjithashtu, por si kandidat i pavarur. Gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, sondazhet kombëtare i nxjerrin Bidenin dhe Trumpin në garë tejet të ngushtë me njëri-tjetrin.
Votuesit, ndërkaq, përmendin ekonominë, sigurinë kufitare dhe ekstremizmin politik si shqetësime kryesore. Të dy kandidatët kanë, po ashtu, vlerësime të ulëta nga opinioni – çfarë e bën pjesëmarrjen në zgjedhje një çështje të diskutueshme.
Cilat janë argumentet kryesore të Bidenit?
Përpjekjet e Bidenit për mandatin e dytë mbështeten në administrimin e tij të ekonomisë, pas daljes nga pandemia COVID-19, dhe atë që ai e quan “betejë për shpirtin e Amerikës” – një luftë kundër Trumpit dhe republikanëve të rreshtuar pas tij, të cilët Biden i etiketon si ekstremistë. Pjesa më e madhe e fushatës së Bidenit është e përqendruar në paralajmërimin e votuesve se Trump përbën një kërcënim vdekjeprurës për demokracinë amerikane.
Biden e ka akuzuar Trumpin për nxitjen e sulmit të 6 janarit, 2021, në ndërtesën e Kongresit amerikan, si dhe për komplot për hakmarrje kundër atyre që përpiqen ta ndëshkojnë atë. Në të njëjtën kohë, presidenti dhe fushata e tij argumentojnë se ekonomia, e cila është prioritet kryesor për shumë votues, është rimëkëmbur ndjeshëm, se papunësia ka rënë në nivelet më të ulëta në disa breza, se produkti i brendshëm bruto është rritur më shpejt seç është pritur dhe se pagat janë rritur.
Megjithatë, inflacioni, i cili ka arritur kulmin në vitin 2022, vazhdon të jetë në një pikë stagnimi. Ai ka rënë disi muajve të fundit, por votuesit mbeten të shqetësuar për çmimet e larta të produkteve kryesore, si: ushqimi, karburantet, makinat dhe banesat.
Biden përmend investimet federale në infrastrukturë, energjinë e pastër dhe prodhimin e çipave, që thotë se do të gjenerojnë rritje afatgjate të numrit të vendeve të reja të punës. Në politikën e jashtme, Biden është tradicional dhe beson se SHBA-ja duhet ta ketë një rol udhëheqës në çështjet ndërkombëtare, me qëllim ruajtjen e sigurisë globale.
Cilat janë argumentet kryesore të Trumpit?
Trump dhe fushata e tij pretendojnë se amerikanët kanë qëndruar më mirë ekonomikisht gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë. Ata, vazhdimisht, vënë në dukje inflacionin dhe normat e larta të interesit, gjatë mandatit të Bidenit. Sipas një sondazhi të kryer nga Reuters/Ipsos në prill, Trump ka dalë në avantazh ndaj Bidenit, për sa i përket asaj se cili prej tyre është më i mirë për ekonominë. Rezultati ka qenë 41% kundrejt 34%.
Trump ka thënë se do t’i shkurtojë shpenzimet federale – për të cilat republikanët thonë se kanë rritur inflacionin dhe çmimet e konsumit – si dhe do t’i ulë taksat.
Ai, po ashtu, ka thënë se do t’i ringjallë politikat e tij të rrepta kundër imigracionit, për të frenuar fluksin rekord të emigrantëve në SHBA nga Meksika, si dhe do të bëjë dëbime masive. Mijëra emigrantë janë transportuar me autobusë në qytete të mëdha në të gjithë SHBA-në dhe Trump – pa ofruar ndonjë provë – ka thënë se fluksi i tyre ka rritur krimin.
Duke iu kundërvënë akuzave të Bidenit se ai është rrezik për demokracinë, Trump ka akuzuar Shtëpinë e Bardhë të Bidenit se ka armatosur Departamentin e Drejtësisë për ta ndjekur atë penalisht dhe për ta penguar që të fitojë një mandat të dytë.
Departamenti i Drejtësisë thotë se vepron pa ndikime politike. Sa i përket politikës së jashtme, Trump përqafon agjendën që ai e quan “Amerika e para”. Ai zotohet se do ta mbajë vendin jashtë “luftërave të përhershme” dhe pretendon se mund t’i japë fund konfliktit Ukrainë-Rusi brenda 24 orësh.
Cilat janë telashet ligjore të Trumpit?
Trump përballet me aktakuza në katër raste në gjykatat federale dhe shtetërore. Ato kanë të bëjnë me përpjekjet e tij për të anuluar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, me keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara dhe me përfshirjen e tij në një skemë ryshfeti, e cila përfshin edhe një yll të pornografisë. Gjyqi për ryshfetin është duke u zhvilluar në gjykatën shtetërore në Menhatën dhe është i vetmi kundër Trumpit që do të zhvillohet këtë vit. Trump është deklaruar i pafajshëm në të gjitha rastet.
Çfarë mendojnë Biden dhe Trump për abortin?
Demokratët e kanë nxjerrë abortin në qendër të fushatës së tyre këtë vit – dy vjet pasi Gjykata Supreme – me një shumicë konservatore të instaluar nga Trumpi – ka përmbysur vendimin historik të vitit 1973 Roe v. Ëade dhe ka konstatuar se aborti nuk mbrohet me Kushtetutë.
Sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e amerikanëve nuk i mbështesin kufizimet e rrepta mbi të drejtat për riprodhim. Dhe, demokratët shpresojnë se kërcënimet ndaj këtyre të drejtave, do të inkurajojnë miliona gra dhe të pavarur që të votojnë për ta. Biden, i cili dikur nuk është pajtuar me mbështetjen e partisë së tij për të drejtat e abortit, është zotuar se do ta nënshkruajë legjislacionin që i mbështet ato të drejta.
Çështja i ka ndarë republikanët – Trump thotë se ajo duhet t’u lihet shteteve veç e veç, kurse të tjerët kërkojnë ndalim kombëtar. Trump i mbështet përjashtimet kur është fjala për: përdhunimin, incestin dhe mbrojtjen e jetës së nënës.
Çfarë mendojnë Biden dhe Trump për sigurinë në kufi?
Prej se ka marrë detyrën në vitin 2021, Biden është përballur me një numër rekord të emigrantëve që janë kapur duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë. Disa demokratë liberalë e kanë kritikuar Bidenin se po përdor masat e Trumpit për t’i reduktuar kalimet e paligjshme, por Shtëpia e Bardhë pohon se po kalon në një sistem më njerëzor dhe më të rregullt, duke u ofruar emigrantëve mënyra të reja për të hyrë legalisht.
Trump, në anën tjetër, është zotuar se do ta rrisë sigurinë kufitare dhe se do t’i mbikëqyrë përpjekjet më të mëdha për dëbime në historinë e SHBA-së.
Çfarë mendojnë Biden dhe Trump për konfliktin Izrael-Hamas?
Biden është kritikuar fuqishëm nga shumë demokratë për mbështetjen e tij të palëkundur për Izraelin, i cili është në konflikt me Hamasin – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – në Rripin e Gazës. Protesta kanë shpërthyer në shumë qytete dhe në kampuse universitare në gjithë SHBA-në. Administrata Biden i ka bërë thirrje Qeverisë izraelite që ta reduktojë ofensivën në Gazë, ku, sipas zyrtarëve shëndetësorë atje, janë vrarë më shumë se 34.000 palestinezë.
Trump dhe republikanët e mbështesin, gjithashtu, Izraelin dhe i kanë akuzuar protestuesit pro-palestinezë se janë antisemitë. Por, Trump i ka bërë thirrje Izraelit që “ta përfundojë” luftën, ose rrezikon ta humbasë mbështetjen globale. Ai nuk ka qartësuar nëse politika e tij ndaj Izraelit do të jetë ndryshe nga ajo e Bidenit.
Çfarë mendojnë Biden dhe Trump për Kinën?
Administrata e Bidenit ka thënë se do që t’i eliminojë rreziqet në marrëdhëniet e saj me Kinën dhe të punojë për ta ruajtur konkurrencën midis fuqive ekonomike numër 1 dhe numër 2 në botë. Megjithatë, Biden ka propozuar së voni vendosjen e më shumë tarifave mbi mallrat kineze, të tilla si çeliku dhe produktet e aluminit.
Biden, po ashtu, është zotuar se do ta mbronte Tajvanin nga sulmi i mundshëm i Kinës. Trump favorizon një politikë paqartësish, për të krijuar qëllimisht pasiguri për mënyrën se si do të vepronte SHBA-ja nëse do të sulmonte Kina. Derisa disa republikanë e shohin Kinën si kërcënim në rritje për sigurinë kombëtare, Trump, kryesisht, e ka karakterizuar gjigantin aziatik si rival ekonomik dhe është zotuar se do të vendosë tarifa të reja mbi importet kineze.
Çfarë mendojnë Biden dhe Trump për Ukrainën?
Biden ka mbështetur fuqishëm dërgimin e më shumë armëve dhe ndihmave të tjera në Ukrainë, e cila është në luftë kundër pushtimit rus, ndërsa Trump ka shprehur vazhdimisht dyshime nëse ndihma e tillë është në interesin kombëtar të SHBA-së.
Megjithatë, Trump ka thënë së voni se mbijetesa e Ukrainës është e rëndësishme për SHBA-në. Në shkurt, Trump ka shkaktuar polemika kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i mbrojnë vendet e NATO-s që nuk shpenzojnë sa duhet për mbrojtje./Rel/