17 qershor 2015 – Pasi Grida Duma publikoi në faqen e saj në Facebook, se rivali i saj Vangjush Dako braktisi përballjen me të gjatë një takimi të organizuar nga kontabilistët e qytetit të Durrësit, ka reaguar dhe Dako i cili e përgënjeshtron këtë fakt.

Nëpërmjet një komunikate për mediat, Vangjush Dako sqaron se ballafaqimi i dy kandidatëve ishte organizuar në orën 10:00, ndërsa Grida Duma nuk e ka respektuar orarin, duke ardhur në orën 10:40, pra 40 minuta me vonesë.

Sipas Dakos, Duma erdhi në momentin kur takimi praktikisht sapo po përfundonte, dhe kandidatit të majtë i duhej të largohej pasi kishte takimin e radhës në zonën e Ishmit në orën 11:30.

Më poshtë reagimi i plotë i Vangjush Dakos:

“Grida Duma gënjen sërish

Pas anulimit të debatit në Top Show-t vjen me 40 minuta vonesë në takimin e radhës

Të nderuar miq,

Përballë varfërisë mjerane të argumenteve dhe mosnjohjes turpëruese të qytetit e problematikës me të cilat përballen bashkëqytetarët e mi durrsakë, kandidatja për rivale ka zgjedhur të mashtrojë paturpësisht opinionin publik lidhur me përballjen për ballafaqimin e alternativave elektorale.

Ashtu siç u bë e qartë si drita e diellit për mbarë opinion publik shqiptar, kandidatja rivale refuzoi në minutë të fundit mbrëmjen e djeshme (16/6/2015) përballjen e drejtpërdrejtë televizive në studion e “Top Show”-t në Top Channel.

Justifikimi që i’u servir opinionit publik ishte sa qesharak, aq edhe i pavërtetë.

Megjithatë, pavarësisht mungesës së pajustifikueshme të saj në debat, unë e kam ballafaqimin dhe jap llogari përpara 320,000 bashkëqytetarëve të mi durrsakë.

Gjithsecili është i lirë të zgjedhë rrugën e vet, por unë kam zgjedhur drejtimin e duhur.

Përsa i përket aktivitetit të sotëm me shoqatën e kontabilistëve të qytetit, më lejoni të shpjegoj se si qëndron e vërteta.

Kam respektuar ftesën e miqve dhe bashkëqytetarëve të mi kontabilistë, duke qenë i pranishëm në aktivitetin e organizuar për prezantimin e programit zgjedhor në orën 10:00 të mëngjesit, ashtu siç ishte parashikuar në ftesën përkatëse.

Theksoj se, ftesa (shih ftesën në foto) ka qenë për takim në orën 10:00 për ballafaqimin e alternativave të kandidatëve për bashkinë e Durrësit.

Gjithsesi, kam bashkëbiseduar me ta deri në orën 10:40, kohë kur ka hyrë në sallën e takimit kandidatja për rivale, kur praktikisht, takimi po përfundonte, ndërkohë që takimi im i radhës ishte në orën 11:30 në zonën e Ishmit.

Dëshiroj të theksoj gjithashtu, se kandidatja për rivale ka kërkuar ndjesë publikisht për vonesën, duke u justifikuar me harresën e orarit të planifikuar (!!!), në një kohë kur stafi i saj ka qenë i pranishëm dhe i përpiktë që në fillim të takimit. 

Pasi u jam përgjigjur edhe pyetjeve të fundit të bashkëbiseduesve dhe pas falënderimit nga organizatorët e takimit në përmbyllje të prezantimit të platformës sime, jam larguar për të vijuar me takimet e mia ditore me zgjedhësit, duke e lënë të lirë kandidaten për rivale të diskutojë dhe prezantojë alternativën e saj për të pranishmit.

Të dashur bashkëqytetarët e mi durrsakë,

Kundërshtarët vazhdojnë me përpjekjet e fundit duke hedhur baltë dhe shpifur, në një përpjekje të fundit dëshpëruese për të mbuluar dështimin e një fushate sa të varfër në ide e projekte, aq edhe fyese për qytetarët durrsakë.

Na ndajnë edhe pak orë nga fitorja e padiskutueshme!

Le t'i themi jo mashtrimit dhe përbaltjes dhe të zgjedhim Drejtimin e Duhur për Durrësin!”

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/