Shortin dhe rezultatin e goglave të Nionit trajneri Montela e pa në shoqërinë e drejtorit sportiv Mirabeli, menaxherit ekipor Kristian Abiati dhe Leonardo Bonuçit. Imazhet video të pritjes së tyre janë transmetuar në rrjetin “Facebook”. Kur shorti ka vendosur përballë kuqezinjve, një tjetër ekip kuqezi si Shkëndija e Tetovës, krerët e “Djallit” nuk janë shfaqur të shqetësuar.Klubet italiane, në historinë e tyre në kompeticionet UEFA nuk kanë dështuar kurrë përballë formacioneve që përfaqësojnë Maqedoninë. Precedentët flasin për katër kualifikime në katër rastet që klubet italiane janë përballur me skuadra nga ish-republika jugosllave.Kur ishin përcaktuar të gjitha çiftet e turit të “playoff”-ëve, trajneri Vinçenco Montela ka lëshuar edhe një deklaratë të shkurtër për kanalin televiziv të klubit.

Në fjalën e tij, strategu i “Djalli”-t ka shpjeguar:“E prisja me shumë kureshtje shortin dhe më vjen mirë që përjetuam një zakon, i cili në klub mungonte prej disa sezonesh. Të them të drejtën, kundërshtarin nuk e njoh aspak”.Shkëndija përbën një sfidë sa të papritur, aq edhe të huaj për djemtë e Montelës. Njohuria mbi ekipin tetovar është e pakët në panoramën e futbollit europian, pavarësisht se paraqitjet e ekipit të Qatip Osmanit kanë ardhur në ngritje gjatë sezoneve të fundit. Montela nuk u shpërqendrua nga emri i kundërshtarit dhe shpjegoi:“Fakti që nuk kam njohuri për ekipin që shorti na vendosi përballë, nuk do të thotë asgjë. Do të kem kohë të mjaftueshme për ta njohur më mirë kundërshtarin dhe për ta studiuar mënyrën e lëvizjeve të tyre në fushë.

”Pjesa tjetër e deklaratës së trajnerit të Milanit u përqendrua te sfida e së mërkurës ndaj Betisit të Sevijës, e programuar për t’u zhvilluar në Katania. Pikërisht në Sicili, Montela ka hedhur hapat e para në karrierën e tij si trajner ndaj komenti i tij është i mbushur me nostalgji:“Miqësorja ndaj Betisit do të luhet në Katania, një tokë ku unë kam shumë kujtime të bukura. Atje përjetova një sezon fantastik dhe shumë të rëndësishëm për mua. Jam ndier shumë mirë atje, ndaj do të jetë një kënaqësi më vete rikthimi. Klubit të Katanias i detyrohem shumë, në veçanti drejtorit Lo Monako, i cili vendosi të besonte tek unë, pavarësisht moshës sime të re dhe përvojës së pakët që kisha si trajner.”