Cristiano Ronaldo është një “përbindësh” i vërtetë i golit. Sulmuesi portugez i Realit të Madridit shënoi 3 të tillë ndaj rivalëve të Atleticos, për të forcuar edhe më shumë legjendën e tij në fushat e gjelbërta. 32-vjeçari arriti në kuotën e 103 golave në karrierë në evenimentin më të rëndësishëm europian për klube, më shumë nga sa ka shënuar ekipi i Atleticos së Madridit, me “Los Colchoneros” që janë ndalur në kuotën e 100 golave.
Në këtë sezon, Ronaldo është ngjitur në kuotën e 10 golave, 8 nga të cilët i ka shënuar në 3 ndeshjet e fundit kundër Bayern Munchen dhe Atletico Madrid. Por nuk mbyllet këtu… Ronaldo, me 3 golat ndaj Atleticos arriti në kuotën e 400 golave me fanelën e Realit të Madridit, klub ku u transferua që në vitin 2009.
Statistikat për Ronaldon s’kanë fund. Janë 13 gola të portugezit në fazën gjysmëfinale të Champions League, duke lënë pas legjendën Di Stefano me 11 finalizime. Ylli i Realit të Madridit ka edhe rekorde të tjera në Champions: atë të dygolëshave, me 27 të tillë, si dhe rekordin e 17 golave të shënuar në një sezon të vetëm, të regjistruar në vitin 2014.