Serbët e Kosovës kanë nisur një luftë mes tyre për kreun e subjektit kryesor politik që kanë – Listën Serbe (LS), shkruan sot “Koha Ditore”. Në dyluftim janë Aleksander Jablanoviq e Slavko Simiq.

Këtë javë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka zyrtarizuar për kryetar ish-ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Jablanoviq, të cilin kryeministri Isa Mustafa e kishte shkarkuar nga posti ministror, shkaku i një deklarate fyese ndaj nënave gjakovare të të pagjeturve të luftës.

Ish-ministri është themelues i Listës Serbe, subjekt politik që mban lidhje të forta me Serbinë.

Kryetar ka qenë deri në fund të 2015-s, kur me kërkesë të Qeverisë së Serbisë është larguar dhe në vend të tij, si ushtrues detyre i kryetarit, ishte caktuar deputeti Simiq, i cili është shef i grupit parlamentar të LS-së.