Është rrëzuar si një kështjellë balte e ndërtuar keq fortesa e Milanit, e cila në vitin 2016 iluzionoi tifozët se ekipi më në fund gjeti rrugën e duhur në kampionat. Falë 9 rezultateve pozitive radhazi, të besuarit e Sinisha Mihajloviçit u futën në valle për një vend në Ligën e Kampionëve, mirëpo rrugëtimi i “Djallit” u ndërpre kundër Sasuolos, një humbje e rëndë, e cila u pasua edhe nga barazimi kundër Kievos. Një pikë në dy takime ka mjaftuar për të shkatërruar gjithçka.
Mirëpo rezultatet negative nuk janë problemi i vetëm në shtëpinë kuqezi. Sipas të përditshmes italiane “La Reppublica”, barazimi kundër Kievos ka sjellë edhe një përçarje brenda grupit. Baloteli është parë teksa qesh dhe bën humor në përfundim të pjesës së parë në “Bentegodi”, asgjë për t’u çuditur, por sjellja e lojtarit tregon se është indiferent për rezultatin e ekipit, ndërkohë që tifozët janë të dëshpëruar për barazimin kundër veronezëve. Sakaq, Abate vjell vrer në përfundim të ndeshjes me qëllimin për të shkundur ekipin në mungesë të Mihajloviçit, i cili ishte i skualifikuar.
Humori i keq në kampin kuqezi lexohet lehtësisht edhe te deklarata e “veteranit” të portës, Kristian Abiati, i cili nuk e kafshoi gjuhën teksa kritikoi hapur të rinjtë, të cilët sipas tij nuk përkushtohen aq sa duhen dhe shpeshherë tregohen arrogantë ndaj trajnerit.“Nuk dua të përmend emra, por jam shumë i mërzitur që ka shokë ekipi që u përgjigjen negativisht këshillave në lojë, sepse i shohin këshillat vetëm si bezdisje”. Nga ana tjetër, edhe Mihajloviç tashmë duket i dorëzuar.
Deklarata e serbit në përfundim të ndeshjes kundër Kievos: “Nuk mund të bëj dot më shumë me këtë skuadër”, tingëllon si dorëzim. Shpërthimi i trajnerit nuk është pritur mirë nga drejtuesit e klubit. Administratori kuqezi, Adriano Galiani, flitet se ka kërkuar menjëherë një sqarim nga 46-vjeçari.
Dy takimet e fundit kanë “zhveshur” Milanin. Loja e kuqezinjve është e ngadaltë dhe mungojnë idetë. Problemet më të mëdha vijnë nga reparti i sulmit. Karlos Baka sërish nuk arriti të gjente rrugën e golit, tashmë ka katër ndeshje që nuk shënon.
Zakonisht ka qenë një nga kontribuuesit më të besueshëm, duke shënuar 13 gola në kampionat dhe dy të tjerë në Kupën e Italisë. Goli i tij i fundit është shënuar në 14 shkurt kundër Xhenoas. Më shqetësues është fakti se ish-sulmuesi i Sevijës nuk ka arritur të godasë portën as edhe një herë në tri ndeshjet e fundit. Ndërsa me vetëm një fjalë “jashtë forme” mund të përmblidhet diskutimi për shokët e tij të repartit, Menez, Boateng, Baloteli dhe Luiz Adriano.