Ministrja e Arsimit dhe Sportit Mirela Kumbaro, ka folur mesditën e kësaj të mërkure në lidhje me deklaratat e deputetes Elisa Spiropali, e cila u shpreh pak ditë më parë se “Europa mbetet vetëm një retorikë për mazhorancën socialiste”.

Pas mbledhjes së qeverisë, për mediat, Kumbaro tha se i përket brezit që ishte me sloganin “E dua Shqipërinë si gjithë Europa” dhe është rritur me këtë slogan.

Ajo nuk i ka kursyer thumbat për Spiropalin teksa është shprehur se, PS është pranë realizimi të këtij slogani dhe se mazhoranca përgjigjet vetëm me punë.

“Ju më pyesni që të jap opinioni për opinionet, ndërsa unë këtu jam sot që të jap opinion për punën. Unë i përkas brezit me sloganin “E dua Shqipërinë si gjithë Europa”, dhe unë tani kam përgjegjësinë që të jem pranë brezit që është shumë afër kësaj dhe kanë përgjegjësinë politike për Shqipërinë në Europë.

Kjo matet me punë që Shqipëria ka bërë në këto 35 vite tranzicion. Sot jemi në kohën kur kjo matet me centimetra, matet me punë dhe dokumentacion dhe unë sapo iu dhashë provën që një nga këto, janë edhe VKM-të e miratuara”, tha Kumbaro.

Komenti i Kumbaros vjen vetëm pak ditë pasi Edi Rama, u përfshi në një përplasje verbale me Elisa Spiropalin, duke ju drejtuar kësaj të fundit me një fjalor jo të hijshëm.

Vetë Spiropali theu heshtjen një ditë më parë duke e cilësuar çështjen jo vetëm personale, ndërsa nuk i kurseu edhe thumbat për Ramën. Kanë mjaftuar këto replikë që socialistët të përçahen mes tyre.