Familja Gjokazaj me origjinë nga Mirdita dhe prej vitesh banore në lagjen nr.15 në Durrës ka përcjellë për në banesën e fundit djalin e tyre të madh Anxhelo Gjokazaj, 16 vjeç, i cili u nis për në shkollë por nuk mundi të kthehej më i gjallë në shtëpi.
Në ceremoninë që u zhvillua në orën 15.00 kanë marrë pjesë të afërm të familjes dhe fisit si dhe shokë të 16-vjeçarit.
16-vjeçari Gjokazaj, nxënës i shkollës së mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës u godit me thikë nga Devi Lala, 17 vjeç, nxënës i shkollës së mesme në gjimnazin “Naim Frashëri”, viti i tretë. Policia e Durrësit ka arrestuar autorin menjëherë pas ngjarjes.
Policia bëri me dije se shkak i zënkës midis dy të rinjve kanë qënë për motivet e dobëta. 16-vjeçari u qëllua me thikë teksa kthehej për në shtëpi. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetojë plagëve të marra.
Sipas mjekëve, Gjokazaj ishte goditur dy herë, një herë në afërsi të zemrës dhe një herë në shpatull. Goditja në afërsi të zemrës ka qënë fatale pasi i ka prekur një arterie kryesore nga e cila ka humbur shumë gjak, e për pasojë ju shkaktua edhe humbja e jetës pak orë pas plagosjes.
DurrësLajm ka qënë në shtëpinë e familjes Gjokazaj, ku xhaxhai i 16-vjeçarit Frrok Gjokazaj rrëfeu se si e mësoi lajmin tronditës. Shtëpia një katëshe e familjes Gjokazaj gjendet në afërsi të kodrës së Spitallës. Një banesë e thjeshtë e ndërtuar me sakrificë nga kryefamiljari, i cili ka punuar emigrant për vite me radhë në Greqi.
Zoti Frrok si e mësuat lajmin tronditës?
Isha në punë me gruan kur na morën në telefon e na thanë hajdeni se e kanë therrur Anxhelon. Mora edhe kunatën e u nisëm për në spital. Na mori në makinë një shok e shkuam në spital me urgjencë të madhe. Ç’të shikonim aty se ishin mbledhur shumë njerëz e nuk na linin të shikonim djalin se si ishte. Na thanë që e kanë therur.
Si ndodhi ngjarja e mësuat ju?
Nuk e di pse janë zënë, por djali ynë është shumë i urtë e nuk vret një mizë në rrugë jo të përfshihet në konflikt. Më thanë që e kishte qëlluar me thikë tek ura e Spitallës. E kishin lënë aty, derisa e kishte marrë një kushëriri jonë dhe e kishte hipur në makinë dhe e kishte çuar në urgjencë. Në spital djalin nuk e kishin zënë me dorë për 20 minuta. Nuk vinin mjekët të shikonin çfarë kishte a çfarë i dhembte.
Po në spital çfarë ju thanë?
Ç’të na thonin? Nuk na lanë ta shikonim se ishte djali në reanimacion. Nuk e zgjati e djali na iku.
Me çfarë merret familja e tij?
I ati është emigrant në Greqi. Atje punon kur gjen punë. Me punën e tij ka rritur të tre djemtë. Anxhelo tani që u rrit do t’i bëhej krahë. E morëm në telefon dhe i thamë të vijë se djali është shumë rëndë. Nuk i kemi thënë që ka vdekur. Në verë edhe djemtë shkojnë andej me nënën e tyre dhe punojnë e kthehen në dimër që fëmijët të shkojnë në shkollë. Vëllai im është i sëmurë me zemër, po ta marrë vesh që djali ka mbaruar kthehet a nuk kthehet gjallë në shtëpi.
E njihnit ju autorin? A keni një apel?
Jo na thanë që është një djalë po këtu nga lagjja, por nuk e njihnim. Nuk e dimë si ka arritur e ka bërë këtë gjë, ka therur djalin tonë të urtë. Ne duam vetëm të dalë e vërteta në shesh e të dënohet siç e parashikon ligji.
K.H.