2 nëntor 2015 – Ekspertiza mjeko-ligjore në Tiranë, në rezultatet paraprake dërguar policisë së Shijakut, ka konkluduar se 13-vjeçarja është abuzuar nga xhaxhai i saj I.Gj në moshën 10-vjeçare.

Aso kohe, e mitura nuk ka kuptuar çfarë ka ndodhur realisht, ndërsa 3 vjet më pas, bëri kallëzim për abuzim seksual. Burimet policore të Shijakut bënë me dije se e mitura i është nënshtruar një ekspertize mjeko-ligjore dhe gjinekologjike nga ekspertët në Tiranë, të cilët pritet të dërgojnë akt-ekspertizën në polici.

Xhaxhai 33-vjeçar i së miturës, i arrestuar menjëherë pas denoncimit, pritet të dalë para gjykatës nën akuzën e marrëdhënieve seksuale me të mitur. Nëse akuza i provohet, ai rrezikon 25 vjet heqje lirie. Sipas policisë, 33-vjeçari rezulton beqar, i papunë, njeri tepër i mbyllur në vetvete dhe jo social në shoqëri. Nuk ka rezultuar me precedentë të mëparshëm penalë.

Sipas të njëjtave burime, deri tri vjet më parë, dy familjet kanë jetuar pranë njëra-tjetrës në “4 Rrugët e Shijakut”. Vajza ka hyrë e ka dalë si të gjithë nipërit dhe mbesat në shtëpinë e xhaxhait, i cili sipas denoncimt të saj ka kryer disa herë marëdhënie seksuale. Më pas, familja e vajzës është shpërngulur në një fshat afër Shijakut dhe takimi me xhaxhanë ka qenë më i rrallë.

Vetëm pasi vajza u rrit, kuptoi se çfarë kishte ndodhur me të në moshën 10-vjecare, pohojnë burimet policore.

/K.H. portali DurresLajm/