Lezhë, 5 shtator 2014 – Në vajzë 17-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u helmuar me fostoksinë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pasi vajza ishte në gjendje shoku si pasojë e abuzimit seksual që babai i saj kishte ushtruar mbi të prej vitesh.
Sipas Drejtorit të Spitalit të Lezhës, Novruz Bare adoleshentja Xh.M është paraqitur në spital pasditen e sotme pas konsumimit të fostoksinës, por edhe pse i është dhënë ndihma e parë ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
Ndërkaq, policia e Lezhës ka arrestuar një ditë më parë, shtetasin me inicialet M.F., i akuzuar për abuzim seksual me të bijën. Uniformat blu kanë bërë të ditur se 45-vjeçari, pjesëtar i komunitetit rom, është denoncuar nga e bija 17-vjeçare, vetëm dy ditë më parë, ndonëse abuzimet kishin nisur prej vitesh.
Sipas saj, babai e ka ngacmuar seksualisht që në moshën 12-vjeçare, ndërsa në moshën 15-vjeçare shtetasi M.F. kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën. Gati një vit më parë, jashtë dëshirës së saj, ai e ka marrë të miturën dhe e ka dërguar në një vend larg banesës së tyre, ku e ka përdhunuar.
Në lidhje me rastin në fjalë, policia e Lezhës ka nisur një hetim të hollësishëm, kjo për faktin se denoncimi nga ana e së miturës është bërë 1 vit pas ngjarjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





