Policia greke ka arrestuar mbrëmjen e të martës autorin e dyshuar të përdhunimit të 50-vjeçares shqiptare dy ditë më parë në lagjen Petralona në Athinë.

Arrestimi i shtetasit bullgar u krye nga Forcat Speciale  të Policisë, të cilët po e kërkonin 35-vjeçarin në disa zona ku besohej se fshihej.

50-vjeçarja u përdhunua dhe dhunua për 9 orë rrjesht në një apartament në Petralona të Greqisë. Ajo mundi të dalë nga ballkoni dhe nisi të bërtiste për ndihmë.

Gruaja që e dëgjoi e para rrëfeu si dukej ajo në momentet e para: “E gjeta atë gjysmë të zhveshur me fytyrën e nxirë nga rrahjet dhe të shkatërruar psikologjikisht”. Sipas saj, kur abuzuesi kuptoi gjithçka, nisi ta kërcënonte.

“Ai po më kërcënonte mua dhe vajzën time. Ai tha se do të na mbyste. Kemi frikë. Jemi në shtëpi me grila të mbyllura. Policia na tha të mos hapim grilat apo të hapim derën nëse dikush i bie ziles”, tha ajo, shkruajnë mediat greke.