Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar Dardan Krivaqën edhe në rigjykim me burg të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.

Krivaqa është liruar nga akuza për dhunim, ndërkaq i akuzuari Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje, dhe po ashtu është liruar nga akuza për dhunim.

Osmani është vrarë, më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt

Sipas aktakuzës, Krivaqa, më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e të ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar në forma të ndryshme.

Sipas aktakuzës, një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu e kanë vrarë të ndjerën në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa e Sejdiu, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit, dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Ata janë akuzuar edhe për kryeje të dhunimit, por janë shpallur të pafajshëm në këtë pikë, në mungesë provash.