ARABI SAUDITE– Një predikues saudit, që torturoi deri në vdekje të bijën e tij pesëvjeçare, është liruar nga burgu pasi ka rënë dakord të paguajë ‘para gjaku’.

Lama al- Ghamdi vdiq në tetor të vitit të shkuar me plagë të shumta në trup si kafkë e brinjë të thyera, të nxira në trup dhe shenja djegie. Vogëlushja ishte përdhunuar vazhdimisht dhe ishte djegur.

Babai i saj, Fayhan al- Ghamdi, një predikues i njohur islamik, që del rregullisht në televizion në Arabinë Saudite, bëri vetëm pak muaj burg, pavarësisht se pranoi se kishte përdorur shkopinj dhe kabllo për të ushtruar dhunë ndaj të bijës.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se vogëlushja është përdhunuar. Por në vend që babai të dënohej me vdekje ose burgim të përjetshëm, ai ka dalë duke paguar ‘para gjaku’, që janë paratë që u jepen të afërmve të viktimës sipas ligjit islamik.

Ai ka paguar 50 mijë dollarë, që besohet se kanë shkuar për mamanë e vajzës. Nëse viktima do ishte djalë, ai do kishte paguar gjysmën e shumës.

Aktivistët thonë se ligji nuk e lejon që një baba të ekzekutohet pse ka vrarë fëmijën ose gruan e tij. Aktivistët thonë se kanë nisur një fushatë kundër dënimeve të tilla.