ITALI, 02 mars 2013– Një shqiptar i cili akuzohet se ka përdhunuar një vajzë italiane ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Ngjarja e rëndë ndodhi në parkingun e një pallati, ku i riu shqiptar pasi e përdhunoi vajzën italiane, më pas e la të lirë. Por denoncimi i të dëmtuarës vuri në lëvizje policinë e cila e lokalizoi dhe i vuri prangat dhe dje 32-vjeçari u përball me togat e zeza në gjykatë me akuzën penale për dënim me disa vite burg.

Vilson Ramaj, djaloshi shqiptar nga Kosova që shikoni në foto, në seancën e së premtes zhvilluar në gjykatën e Bergamos, Itali, ka kërkuar gjykim të shkurtuar për procesin e tij ku akuzohet se ka përdhunuar në Borgo Santa Caterina, një shtetase italiane 24-vjeçare. Mësohet në ditën e përdhunimit, 24-vjeçarja ishte shtatzënë dhe ka humbur fëmijën, por prokurori Francesco Dettori tha se nuk mund të bëhet dot asnjë lidhje mes përdhunimit dhe dështimit të fëmijës.

Ramaj ka paguar dy avokatë për çështjen e tij. Mbrojtësit ligjorë, Francesca Signorelli e Rita Duzioni deklaruan pas seancës se nëse gjykata do ta pranojë gjykimin e shkurtuar, Vilsoni do të përfitojë ulje të një të tretës së dënimit të parashikuar për të.

Vilson Ramaj jeton prej shumë vitesh në Itali bashkë me familjen, ai është i martuar dhe ka dy vajza. 

Prokurorja Patrizia Ingrasci tha se, Ramaj u arrestua më 11 janar 2013, një javë pas ngjarjes për të cilën është tashmë i pandehur. Kurse citoi deklaratën e dhënë nga Vilsoni: “Atë natë kisha pirë një gotë verë për darkë dhe isha turbull. Kur takova atë vajzë, më iku mendja”.

Ishte 24-vjeçarja ajo që dha të dhënat që çuan më pas në identifikimin dhe arrestimin e Vilsonit.