OSHEE shtyn afatin deri në mars 2018 për vijimin e procesit të përditësimit të të dhënave, pasi vendosja e afatit 31 janar dhe rezervimi i të drejtës për ndërprerjen e energjisë elektrike në rast mospërditësimi të të dhënave, ka shtuar fluksin e abonentëve në pikat e autorizuara për përditësimin e të dhënave.
Çfarë duhet të dini për procesin e përditësimit të të dhënave
Përditësimi/plotësimi i të dhënave të abonentëve është një proces mjaft i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në drejtim të cilësisë së shërbimit dhe vendosjes së marrëdhënies kontraktore korrekte mes palëve!
Me përditësimin/plotësimin e të dhënave, si numri i kontratës së furnizimit, kartën e identitetit, NIPT-i, etj, evidentojmë qartë të dhënat e klientit, objektit që furnizohet me energji elektrike dhe shmangim pasaktësitë në trajtimin apo ofrimin e shërbimit.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Sh.A) sqaron se, procesi i përditësimit të të dhënave nuk lindi si nevojë ditët e fundit, por në fillim të zbatimit të reformës, pasi u konstatuan pasaktësi të dhënash për një pjesë të abonentëve tanë, të trashëguar në vite!
Sikurse publiku është informuar, procesi i përditësimit nisi në shtator të 2015-s, dhe ka vijuar me kalimin e kohës, duke rritur sensibilizimin, përmes fushatave të ndryshme, e cila kulmoi në tetor 2016, me nisjen e intervistave derë më derë, bazuar mbi:
• Ligjin Nr.43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”
• Kontratën e Furnizimit me Energji Elektrike, miratuar me Vendimet Nr. 108 dhe Nr.109, datë 21.10.2011 të ERE
• Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 207, datë 16.03.2016, për “mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave”
Procesi i përditësimit ka vijuar gjatë gjithë vitit 2017, ku pavarësisht intensifikimit të punës në terren, konstatohen ende abonentë që nuk kanë saktësuar të dhënat, kryesisht shtëpi të dyta, emigrantë, por edhe konsumatorë të cilët nuk janë gjetur gjatë procesit të intervistimit!
Për t’i sensibilizuar më tej, abonentët u njoftuan sërish në tetor 2017, përmes njoftimeve në media, rrjete sociale, te zyrat e Kujdesit ndaj Klientit në OSHEE, dhe nga kontraktori.
Për nga rëndësia që mbart saktësimi i tëdhënave, është shumë i nevojshëm përfundimi i procesit në kohë, ndaj dhe abonentëve, sërish, iu është bërë thirrje sërish të kontaktojnë me numrat e telefonit, apo tek adresat si më poshtë:
+355686055900
+355686035990
Tiranë
1. Zyrat e “Çelësit”, “Rruga e Kavajës”, Qendra “Condor”, Kati 3
2. Zyrat e “Datech”, mbrapa ish-Ekspozitës "Shqipëria Sot" (përballe Restorantit "Grepi i Artë")
Durrës
1. Rruga “Hafiz Podgorica”, Nd 16, Hyrja 2 ose ish-oxhaku i vjetër i NISH Goma
Elbasan
1. Qendra Tregtare Dardanët, ngjitur me OSHEE
Fier
1. Te Kullat e Omerit, Lagjja “15 Tetori”
OSHEE thekson se, me vendosjen e afatit 31 janar dhe rezervimin të të drejtës për ndërprerjen e energjisë elektrike në rast mospërditësimi, kemi rritje të fluksit të abonentëve në pikat e autorizuara për përditësimin e të dhënave.
Në kushtet aktuale kur në sportele janë me mijëra klientë duke saktësuar të dhënat, OSHEE së bashku me nënkontraktorin vendosën për vijimin e procesit të përditësimit të të dhënave deri në mars 2018.
Paralelisht me shtyrjen e afatit, do të shtohen pikat e shërbimit, për t’i dhënë mundësi gjithë klientëve t’i përgjigjen detyrimit kontraktual për saktësimin e të dhënave.
Thirrja u drejtohet atyre abonentëve, të cilëve:
• Kontrata e furnizimit me energji elektrike rezulton e papërditësuar në bazën e të dhënave të OSHEE, e cila gjendet në linkun publikuar në faqen zyrtare të OSHEE.al http://oshee.al/verifiko-perditesimin/
• Për klientët të cilëve iu është vendosur një sticker/voucher në banesën/objektin e tyre
• Për klientët, të cilët nuk janë gjetur në banesë gjatë procesit të intervistave dhe/ose kanë refuzuar te kryejnë përditësimin.
Gjithashtu, për klientët të cilët nuk kanë një sticker/ voucher në banesën e tyre, kanë mundësinë të kontaktojnë në zyrat me adresat e mësipërme, respektivisht sipas qyteteve ku banojnë.
Ndërprerja e energjisë elektrike nuk është qëllim në vetvete, sesa rëndësia e përditësimit të të dhënave, dhe për këtë arsyeje po shikohet mundësia e përballimit të fluksit.
Procesi është mjaft i rëndësishëm, dhe nuk duhet parë si nevojë vetëm e OSHEE-së, pasi çdokush duhet ta kuptojë se me të dhëna më të sakta, aq më shpejt dhe korrekt do të marrë shërbim, zgjidhje të çështjeve apo të ankesave!





