Një infermiere në një spital të New York po përballet me akuza për vjedhje të kartës së kreditit të një ish-pacienti me Covid-19 për të cilën vajza e pacientit thotë se ishte përdorur për benzinë dhe sende ushqimore.

Danielle Conti, 43 vjeçe, akuzohet për vjedhjen e dy kartave të kreditit të Anthony Catapano, teksa ishte shtruar në spital në Universitetin e Staten Island me koronavirus, sipas Departamentit të Policisë në New York.

70-vjeçari u shtrua në spital më 4 prill nga koronavirusi, tha vajza e tij, Tara Catapano, për CNN. Ai ishte i vetëdijshëm kur vjedhja e pretenduar ndodhi dhe më 12 prill ai ndërroi jetë nga komplikimet e koronavirusit.

“Unë isha në shok dhe nuk mund ta besoja. Natyrisht, e dija se duhej të ishte një punonjës spitali, sepse vizitorët nuk lejoheshin.Ai ishte babai im. Jam shumë e acaruar, ajo duhej të kujdesej për të dhe jo ta vidhte”- ka thënë Tara Catapano me lot në sy.

Tara Catapano tha që normalisht nuk i ndjek nga afër shpenzimet e babait të saj. Por pasi vdiq ia ati Tara mori një njoftim se karta e kreditit ishte përdorur për benzinë , për të cilën ajo tha se babai gjithmonë paguante me para. Më pas pa që data e tarifimit ishte 9 prill, kur babai ishte në spital, duke luftuar për jetën e tij.”

Në një deklaratë të dhënë për CNN, Christian Preston, drejtori i çështjeve publike për Spitalin Universitar të Staten Island, tha se Conti, e cila ka punuar në spital që nga viti 2007, “është pezulluar përkohësisht dhe po përballet me akuzat ndaj krimit”. Ai gjithashtu tha që spitali “po punon me autoritetet e zbatimit të ligjit dhe spitali po kryen hetimet e veta.”

Një zëdhënës i NYPD tha për CNN se Conti i është lëshuar një urdhër që të paraqitej në gjykatën penale të Staten Island, në shtator.