Ish-zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda ka kërkuar gjykim të shkurtuar në seancën paraprake që është mbajtur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ajo akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe deri tani ka qëndruar në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kërkesa është bërë nga avokati i ish-zv.ministres dhe tashmë do të jetë Gjykata e Posaçme ajo që do të vendosë për nëse do e pranojë apo jo kërkesën e Rovena Vodës. Nëse gjykimi i shkurtuar do të pranohet, atëherë ish-zv.ministrja do përfitojë 1/3 e uljes së dënimit kur gjyqi të dalë me vendim final.
Kur dërgoi dosjen në gjyq, SPAK argumentoi se për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu.
Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që e pandehura Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive.
Në përgjime, Voda ka dalë se ka marrë një arkë me peshk, 1,000 euro dhe një celular iPhone, për ti gjetur një vend pune në Ministri, një prej shtetaseve të sipërpërmendura.