Globalisht, në kushtet kur me miliarda rezervime në hotele, linja ajrore e paketa turistike ishin aktivë në kohën e shpërthimit të pandemisë, rimbursimi i tyre i menjëhershëm te klienti ishte i pamundur, për shkak të mungesës së likuiditetit.
Në këto kushte, u gjet si zgjidhje kuponi apo voucher, që i jepet klientit në të njëjtën vlerë me rezervimin dhe mund ta shfrytëzojë brenda një viti sipas nevojës. Sigurisht që, një pjesë e kompanive kanë bërë edhe rimbursim në para, por kjo është cilësuar se zgjat më shumë sesa marrja e një kuponi.
Në qershor, edhe qeveria shqiptare miratoi një vendim që sanksiononte se operatorët turistikë dhe agjencitë duhet t’ju lëshonin kuponë në të njëjtën vlerë me rezervimin e qytetarëve ose të bëjnë rimbursimin brenda një viti.
Jeta Hoxha, agjente turizmi, në Union Travel, shprehet se kjo skemë po funksionon dhe është përdorur nga tur-operatorët, por të gjithë rezervimet janë shtyrë për vitin tjetër.
“Turqia ka funksionuar dhe kanë udhëtuar ata që kanë pasur rezervim apo kupon. Ka qenë klientelë që edhe nga gjendja ekonomike ka qenë mirë, pasi kanë zgjedhur resorte shumë të mira edhe si një garanci për sigurinë e masave ndaj COVID-19. Janë nisur me oferta last-minute (të minutës së fundit).
Një pjesë i shfrytëzoi kuponët edhe kur patëm atë hapjen me Malin e Zi, ndërsa tani lëvizin shumë pak. Pjesa e voucherit funksionoi vetëm për Turqinë, nëse e shohim në total” – shprehet Hoxha.
Situata e paqartë ka lënë agjencitë pezull lidhur me paketat që mund të ofrojnë për klientët, për aq kohë sa ka kufizim të lëvizjes.
“Ne zakonisht, në sektorin e turizmit dhe kryesisht agjencitë, fillojmë programimet tona me 8 Marsin sa u takon ofertave dhe më pas kalojmë me verën, festat e Nëntorit dhe Fundvitin. Këtë vit e kemi të vështirë të programojmë, apo të hartojmë oferta, pasi mbetemi peng të situatës. Maksimumi, ndoshta mund të kemi oferta rajonale me Malin e Zi dhe Maqedoninë apo Greqinë. Njerëzit vijnë e pyesin në agjenci për udhëtime individuale, por ne i kemi ndalur të gjitha” pohon Hoxha.
Lidhur me pjesën që kishin rezervime në agjenci për udhëtime jashtë dhe nëse këtë e kanë zëvendësuar me rezervime të ndonjë pakete në vend gjatë kësaj kohe, ajo thotë se ka pasur raste dhe klientët kanë rezervuar hotele në Durrës, Vlorë e Sarandë nëpërmjet agjencisë.
“Ne kemi kontrata me hotelet për të huajt, por duke qenë se ka pasur kufizim të lëvizjes, ato kontrata i kemi zëvendësuar me pushues nga Shqipëria, në disa raste kur na është kërkuar. Hotelet janë treguar elastikë, duke ofruar paketa të ndryshme nga vetëm me mëngjes deri tek të gjitha të përfshira” thekson Hoxha. /MONITOR